Kosova ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike dhe kalimit në energji të pastër përmes një projekti të ri infrastrukturor. Gjatë vizitës në punimet e këtij parku energjetik, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, vlerësoi lart rëndësinë e këtij investimi për stabilitetin energjetik dhe klimën e biznesit në Kosovë.
Projekti, i cili përfshin teknologjinë moderne të turbinave me erë, pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimin e qytetarëve, duke reduktuar emetimet e dëmshme dhe duke rritur prodhimin vendor.
Kryeministri Kurti dha detaje mbi kapacitetet prodhuese dhe rëndësinë strategjike të projektit:
“Pra, një turbinë afërsisht rreth 6 megavat, me ç’rast i kemi 12 të tilla gjithsej, por që pritet të prodhojnë 185 gigavat-orë energji elektrike në vit, që mbulon konsumin e 45,000 familjeve kosovare me energji të pastër. Ky projekt është dëshmi që Kosova, përmes një kornize ligjore dhe rregullative të përshtatshme dhe përmirësimeve të vazhdueshme në klimën e të bërit biznes, ofron siguri për investime të huaja në energji të ripërtëritshme dhe jo vetëm. Uroj Çallik Renewables, Eurokos dhe të gjithë punëtorët, 175 punëtorë gjithsej, prej të cilëve 130 nga Kosova, për angazhimin e tyre për të realizuar këtë projekt infrastrukturor mjaft kompleks, por shumë të rëndësishëm për vendin tonë, dhe uroj të kthehemi këtu së shpejti për të përuruar së bashku fillimin e prodhimit”, tha Kurti.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se investimet në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë po sjellin rritje të sigurisë energjetike, ulje të importeve dhe energji më të pastër për qytetarët.
Rizvanolli tha se projekti është një nga më të rëndësishmit në sektorin energjetik të vendit dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimin me energji elektrike.
Sipas saj, projekti përfshin katër turbina të përfunduara, me dy të tjera që pritet të montohen brenda dy javëve, ndërsa i gjithë investimi pritet të përfundojë gjatë korrikut të këtij viti. Ajo theksoi se kapaciteti i ri prej rreth 70 megavatësh do të shtohet në sistemin elektroenergjetik të Kosovës dhe do të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji në vit.
“Ky kapacitet i ri nënkupton më shumë siguri furnizimi, zëvendësim të importeve në vlerë mbi 27 milionë euro në vit dhe energji më të pastër për qytetarët”, u shpreh Rizvanolli.
Ajo shtoi se projektet e tilla kontribuojnë në uljen e ndotjes dhe stabilizimin e çmimeve të energjisë, duke i cilësuar turbinat e erës si një nga investimet më të rëndësishme në tranzicionin energjetik të vendit.
Ministrja vlerësoi gjithashtu kompleksitetin teknik të projektit, duke theksuar se transporti dhe instalimi i turbinave me përmasa të mëdha kërkon planifikim të detajuar dhe koordinim të lartë teknik.
Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së kompanive dhe punëtorëve vendorë në projekt, duke thënë se rreth 70 për qind e fuqisë punëtore në ndërtim është nga Kosova, gjë që sipas saj tregon rritjen e kapaciteteve vendore në sektorin e energjisë.
Rizvanolli u shpreh optimiste se projekti do të përfundojë sipas afateve dhe se së shpejti do të fillojë prodhimi i energjisë nga ky park me erë.



Të tjera
Kamberi:Edhe bankat në Serbi pjesëmarrëse në diskriminimin ndaj shqiptarëve
U shkarkua nga detyra, reagon “me përvujtëni” ambasadori Miftari
6 ushqimet që burrat duhet t’i konsumojnë çdo ditë