Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 420 studentëve në Universitetin “Ukshin Hoti”, në Prizren.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti gjatë fjalës së tij e ndërlidhi këtë ngjarje me rëndësinë historike të qytetit të Prizrenit dhe figurën e Ukshin Hotit.
“Sa herë vijmë në Prizren, na kujtohet Lidhja e Prizrenit e 10 qershorit 1878, një nga ngjarjet themeltare të historisë sonë kombëtare. Vetëm pak ditë më parë shënuam 148-vjetorin e saj. E sot jemi sërish në këtë qytet, në diplomimin e 420 studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti”. Teksa kujtojmë edhe 83-vjetorin e lindjes së Prof. Ukshinit”, tha Kurti.
Pasi përmendi se nga rreth katër mijë studentë aktivë në Universitetin “Ukshin Hoti”, afërsisht 70% janë vajza e gra, ai foli për rolin e tyre në shtetndërtimin demokratik dhe përparimin shoqëror. “Kur një vajzë hyn në tregun e punës, nuk ndryshon vetëm jeta e saj, ndryshon drejtimi i shoqërisë, përmirësohet e ardhmja e vendit”, shtoi ai.
“Si Qeveri, po i kushtojmë rëndësi të posaçme ndërkombëtarizimit të kapaciteteve akademike. Na gëzon fakti që profesionistë dhe akademikë nga mërgatë jonë shqiptare, po kthehen për ta dhënë përvojën e tyre profesionale në institucionet tona të arsimit të lartë”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Po ashtu, kryeministri në detyrë tha se mandati i ardhshëm do të jetë i transformimit dhe ristrukturimit të arsimit të lartë.
“Zhvillojeni veten duke besuar, duke guxuar dhe duke punuar në vazhdimësi. Qeveria juaj do të vazhdojë të jetë partnere e juaja, drejt sukseseve të reja dhe aspiratave tuaja”, ishte mesazhi i kryeministrit në detyrë Kurti për të diplomuarit.



Të tjera
Çka duhet të dini për stresin gjatë shtatzënisë?
Njerëzit me klasë të lartë shoqërore “vlerësojnë” veten më shumë
Përse meshkujt dhe femrat nuk mund të jenë vetëm miq?