Nagavci: Su*lmet ndaj Dejona Mihalit nuk flasin për të, flasin për mentalitetin e atyre që ende nuk e pranojnë gruan si zë të barabartë në jetën publike

Nagavci: Su*lmet ndaj Dejona Mihalit nuk flasin për të, flasin për mentalitetin e atyre që ende nuk e pranojnë gruan si zë të barabartë në jetën publike

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve që, sipas saj, po i bëhen aktivistes dhe zyrtares së Vetëvendosjes, Dejona Mihali, duke i cilësuar ato si shpifje, fyerje dhe gjuhë çnjerëzore ndaj një gruaje të angazhuar në politikë.

Nagavci ka thënë se sulmet ndaj Mihalit nuk flasin për të, por për mentalitetin e atyre që, sipas saj, ende nuk e pranojnë gruan si zë të barabartë në jetën publike.

“Kur një grua sulmohet, madje edhe familja e saj, jo me argumente por me linçim e dehumanizim, kemi të bëjmë me një krizë qytetarie”, ka deklaruar ajo.

Sipas Nagavcit, nuk është hera e parë që Mihali përballet me sulme të tilla, ndërsa ka akuzuar partitë opozitare për bashkërendim në kritikat ndaj saj.

“Si gjithmonë, edhe kësaj radhe, PDK-ja, LDK-ja dhe zëra të tjerë të opozitës duket se gjejnë më lehtë gjuhën e përbashkët kur bëhet fjalë për sulme ndaj një gruaje të angazhuar politikisht sesa kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka kritikuar gjithashtu heshtjen e institucioneve, organizatave dhe zërave publikë që, sipas saj, zakonisht angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të grave.

“Edhe më shqetësuese se sulmet është heshtja. Heshtja e atyre që çdo ditë flasin për të drejtat e grave. Heshtja e institucioneve, e organizatave dhe e shumë zërave publikë”, ka theksuar ajo.

Në reagimin e saj, Nagavci ka vlerësuar se mënyra se si një shoqëri reagon ndaj padrejtësive është tregues i nivelit të saj demokratik dhe qytetar.

Ajo ka përfunduar duke thënë se sulmet nuk do të ndikojnë në tërheqjen e tyre nga angazhimi politik, por do të shërbejnë si motiv shtesë për të vazhduar punën për, siç tha ajo, të vërtetën, drejtësinë dhe përfaqësimin dinjitoz në jetën publike.