Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë bojkot të opozitës në lidhur me zgjedhjen e presidentit mund ta kuptojë vetëm si mosrespektim të verdiktit të popullit.
Kurti ka thënë se arsyetimi i opozitës se nuk duan që Vetëvendosja të mbajë tri pozitat, nuk qëndron. Thotë se është ofruar pozita e kryeparlamentarit, e po ashtu është bërë ofertë që të propozohen tre emra për president konsensual.
Ai ka thënë se aktualisht ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës është Albulena Haxhiu, dhe Vetëvendosja i ka të tri pozitat. Kurti ka thënë se një situatë e ngjashme do të vazhdojë edhe mëtutje, nëse opozita s’pranon ofertën.
“Aman na ndihmoni të mos i kemi tri pozitat. Po kërkojmë mbështetjen, ndihmën e opozitës. Boll na dalin dy pozita. Si duam tri. Të dashur deputetë të opozitës ejani na ndihmoni të mos i kemi tri pozita, se tash i kemi tre pozita”, tha Kurti.
Kurti: Koalicione paszgjedhore të padeklaruara janë arsye e kësaj bllokade
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për çështjen e presidentit ka thënë se nuk qëndrojnë deklarimet se Lëvizja Vetëvendosje nuk do marrëveshje politike.
Sipas Kurtit, ka koalicione paszgjedhore të cilat nuk po deklarohen por që është arsye e madhe e kësaj bllokade. Kurti deklaroi se qëllim kanë ta dëmtojnë LVV-në.
“Vitin e kaluar Nisma me tre deputetë sillej sikur t’i kishte 48. Ndërkohë LDK-ja përbuzi çdo ofertë që ia bëmë duke refuzuar edhe takimet. Ata që sot thonë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do marrëveshje politike dhe nuk mund të qeverisë në koalicion nuk e thonë të vërtetën. Koalicionet parazgjedhore janë formë e ndershme e marrëveshjes politike sepse qytetarët e dinë paraprakisht se kush do të qeverisë bashkë. Por ne kemi koalicione paszgjedhore që nuk po lidhen por që po dihen se janë koalicione paszgjedhore dhe këtu është një pjesë e madhe e arsyes së bllokadës. Pikërisht për shkak se ka preferenca për koalicione të padeklaruara. Kjo është kronologjia e fakteve, të tjerat janë supozime e manipulime që njëjtë si vitin e kaluar, qëllim e kanë dëmtimin sado pak të subjektit fitues, Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Kurti mes tjerash.



Të tjera
Nuk siguroi ulëse në Kuvend, reagon Adelina Thaçi
Pijet energjike që ju ndihmojnë gjatë ditës
SHBA vendos rekord me topin më të madh të futbollit në botë