Kurti pas takimit me Kos: Të avancohet dosja e Kosovës për statusin e vendit kandidat, mbështetja për BE në Kosovë rreth 90%

Kurti pas takimit me Kos: Të avancohet dosja e Kosovës për statusin e vendit kandidat, mbështetja për BE në Kosovë rreth 90%

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me Komisioneren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, ka kërkuar që të përshpejtohet procesi i avancimit të aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Kurti tha se kanë kaluar mbi 40 muaj që nga aplikimi i Kosovës dhe se, sipas tij, është koha që BE ta çojë përpara këtë proces.

“Ndajmë vlera të përbashkëta me BE dhe jemi plotësisht të rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. I jemi bashkuar të gjitha sanksioneve kundër Federatës Ruse”, tha Kurti.

Ai shtoi se momenti aktual i zgjerimit të BE-së duhet të rezultojë me avancimin e Kosovës.

“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtëritjes së zgjerimit të BE-së duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për BE-në, për anëtarësim në BE, qëndron rreth 90% në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate. Gjetja e unitetit brenda BE-së për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Kërkohet që edhe BE ta shtyjë këtë unitet përpara. Vakumi që lë BE po synohet të mbushet nga aktorë të tjerë dashakeqë, që rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët”, u shpreh ai.