Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, takoi kongresisten republikane nga shteti i Floridës, Kat Cammack, transmeton KosovaPost.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u veçua misioni bashkëzbarkues i Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe pjesëmarrja për tre herë radhazi si vend mikpritës në ushtrimin e madh ushtarak Defender Europe 25, që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku morën pjesë 25 mijë ushtarakë nga 29 vende aleate e partnere.
Temë tjetër e diskutimit ishte edhe bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar.
“Kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA-ja, për çka kongresistja Cammack e falënderoi, dhe për investimet e mëdha infrastrukturore në vend në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030, të cilat paraqesin një mundësi të mirë edhe për kompanitë amerikane”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kurti dhe kongresistja Cammack gjithashtu folën për rrezikun e vazhdueshëm që paraqet Rusia për paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale.
Në këtë takim ishin edhe zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Ilir Dugolli.



Të tjera
Gabimet që s’duhet t’i bëni gjatë grimit
Çfarë po ndodh me familjen mbretërore, Harry dhe Meghan po shpërngulen në Amerikë
Ja sa orë duhet të flini sipas moshës që keni