Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjet për ratifikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s, si dhe Protokollet Shtesë 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, i ka cilësuar këto vendime si hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjet për ratifikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s, si dhe Protokollet Shtesë 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se këto vendime përbëjnë një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas saj, marrëveshja me EFTA-n, e nënshkruar në janar të vitit 2025, synon thellimin e integrimit ekonomik të Kosovës me tregjet evropiane, përmes liberalizimit të tregtisë së mallrave, përmirësimit të qasjes në treg për produktet bujqësore, si dhe rregullave më të qarta për origjinën e mallrave, pronësinë intelektuale dhe sigurinë juridike për bizneset. Ajo përfshin gjithashtu tregtinë e shërbimeve në sektorë si financa, teknologjia e informacionit, transporti dhe turizmi.
Kusari-Lila theksoi se marrëveshja ka rëndësi edhe për shkak të rritjes së shkëmbimeve tregtare me vendet e EFTA-s, veçanërisht Zvicrën dhe Norvegjinë, duke ndikuar në forcimin e eksporteve dhe praninë e produkteve kosovare në këto tregje.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe Protokollet Shtesë 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s. Protokolli 5 synon thjeshtësimin e procedurave dhe eliminimin e barrierave tregtare, përfshirë shkëmbimin elektronik të të dhënave dhe njohjen e testeve laboratorike. Protokolli 6 zgjeron tregtinë e shërbimeve dhe rrit sigurinë juridike për ofruesit vendorë, ndërsa Protokolli 7 përcakton rregulla më të qarta për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare.
Sipas ministres, miratimi i këtyre marrëveshjeve dhe protokolleve përbën një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare, avancimit të integrimit rajonal dhe krijimit të një mjedisi më të favorshëm për biznesin dhe rritjen e eksporteve.



Të tjera
10 karakteristikat e njerëzve vërtet të pjekur
Konjufca dhe Mulhaxha-Kollçaku tërhiqen nga kandidatura për presiden
Qeveria miraton disa vendime në mbledhjen e 15-të elektronike