Këngëtari i njohur kosovar Labinot Tahiri ka njoftuar se do të dhurojë 5 mijë euro për ndërtimin e shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një reagimi publik, ku e ka cilësuar si “lajm shumë të mirë” iniciativën për ngritjen e shtatores, duke shprehur njëkohësisht edhe respekt për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, me theksin se kjo vepër me peshë historike po realizohet gjatë mandatit të tij.
Tahiri ka kujtuar se prej kohësh ka ngritur pyetjen pse kryeqyteti ende nuk e ka një shtatore të Adem Jasharit, duke e konsideruar atë si një nderim që duhej të ishte bërë menjëherë pas çlirimit.
“Kam shkruar disa herë, duke pyetur pse Prishtina ende nuk e ka një shtatore të komandantit legjendar Adem Jashari. Për mua, ajo është dashur të ngrihet që në ditët e para të lirisë”, ka shkruar ai.
Në të njëjtin postim, këngëtari ka treguar se më herët ka ndihmuar edhe për iniciativa të tjera për përmendore të dëshmorëve dhe veteranëve, por pa i bërë publike.
“Popull i dashur, shumë herë kam dhuruar para për shtatore të dëshmorëve e veteranë aq sa kam pasur mundësi dhe nuk i kam bërë publike ato ndihma me emra se nuk bën”, shprehet ai.
Megjithatë, këtë herë, Tahiri ka bërë të ditur se nëse hapet një fond i posaçëm për shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë, ai do të kontribuojë menjëherë me 5.000 euro, duke e cilësuar si një kontribut “nga puna e këtij sezoni”.
“Por nëse hapet një fond për shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë, unë ndaj me zemër 5.000 euro nga puna ime e këtij sezoni tim si fillim”, ka përfunduar ai.



Të tjera
Si ta bësh një mashkull tëndin përgjithmonë
Kurti: Punëtorët që humbin vendin e punës do të mbështeten nga shteti
Kurti shkruan në librin e zisë për Hafiz Gagicën: Figurë e rrallë e mërgatës shqiptare