Los Angeles Lakers e kanë nisur me fitore fazën “play-off” në NBA, duke lënë pas shqetësimet për mungesat në skuadër.
Skuadra me 18 tituj kampioni arriti të triumfojë me rezultat 107-98 ndaj Houston Rockets, pavarësisht mungesës së disa lojtarëve kyç si Luka Doncic, Austin Reaves dhe Maxi Kleber.
Në qendër të vëmendjes ishte veterani LeBron James, i cili në moshën 41-vjeçare vazhdon të tregojë klas të lartë. Ai udhëhoqi skuadrën me 19 pikë, 13 asistime dhe tetë kërcime, duke kontrolluar ritmin e lojës ndaj një kundërshtari që pësoi goditje të madhe para ndeshjes me lëndimin e Kevin Durant.
Pas ndeshjes, trajneri i Lakers, JJ Redick, theksoi mentalitetin e skuadrës në momente të tilla. “Është thjesht mentaliteti ynë i play-off-it. Nuk mund të shqetësohesh se kush mungon apo kush është në formacion. Rëndësi ka plani ynë i lojës dhe standardet tona”, deklaroi ai.
Një paraqitje të shkëlqyer pati edhe Luke Kennard, i cili realizoi 27 pikë – rekordin e tij personal në play-off – duke ndihmuar Lakers të marrin epërsinë në serinë që zhvillohet me sistemin “best-of-seven”.
Ndërkohë, Durant, 37 vjeç, vuan nga një mavijosje në gju dhe pritet të rikthehet për ndeshjen e dytë të martën.
Në ndeshjet e tjera të ditës së parë, fitore shënuan edhe Cleveland Cavaliers, Denver Nuggets dhe New York Knicks, ndërsa Phoenix Suns dhe Orlando Magic siguruan pjesëmarrjen në play-off përmes turneut “play-in”.
Kampionët në fuqi, Oklahoma City Thunder, do ta nisin aventurën e tyre të dielën mbrëma përballë Suns.



Të tjera
Osmani në Forumin Diplomatik të Antalias: Falënderon liderët për mbështetjen ndaj Kosovës
Trump: Delegatët amerikanë do të shkojnë në Islamabad për bisedime me Iranin
Sanchez i kërkon BE-së të ndërpresë Marrëveshjen e Asociimit me Izr@elin brenda 48 orësh