Përfundimi i procesit të numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, përfshirë edhe votat e diasporës, konfirmoi edhe një herë dominimin e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike të vendit.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kjo parti doli forcë e parë me 47.13 për qind të votave dhe 53 mandate në Kuvend, duke lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 22 mandate dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 18 mandate.
Këto rezultate kanë rikthyer në debat pyetjen nëse vendi kishte nevojë realisht të shkonte sërish në zgjedhje, duke pasur parasysh se rezultatet e 7 qershorit dolën pothuajse të ngjashme me ato të 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Lëvizja Vetëvendosje mbeti forca kryesore politike, ndërsa partitë opozitare nuk arritën të ndryshojnë ndjeshëm raportin e forcave në Kuvend.
Kjo ka nxitur diskutime se opozita, në vend që ta çonte vendin drejt një procesi të ri zgjedhor me kosto politike dhe institucionale, do të duhej të kishte gjetur forma bashkëpunimi për të zhbllokuar institucionet dhe për të avancuar proceset shtetërore.
Vuniqi: Zgjedhjet e reja nuk prodhuan një zhvendosje të rëndësishme të ekuilibrit politik në Kosovë
E në lidhje me këtë temë foli opinionisti Agim Vuniqi, i cili u shpreh se, zgjedhjet e 7 qershorit nuk prodhuan ndryshime në skenën politike dhe me të drejtë vihet në pikëpyetje se pse realisht vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ai tha se, zgjedhjet janë mjet demokratik, por që mesazhi i qytetarëve duhet të interpretohet si kërkesë për stabilitet dhe vazhdimësi.
“Për nga rezultati i deritanishëm, duket se zgjedhjet e reja nuk prodhuan një zhvendosje të rëndësishme të ekuilibrit politik në Kosovë. Nëse Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të ruajë pothuajse të njëjtën mbështetje elektorale si në ciklin e kaluar, ndërsa partitë opozitare nuk kanë arritur të krijojnë një shumicë alternative, atëherë pyetja që shtrohet me të drejtë është nëse vendi fitoi diçka substanciale nga rikthimi në zgjedhje apo nëse u konsumua kohë e çmuar institucionale pa prodhuar ndryshim politik.

Krahas kësaj, Vuniqi foli edhe për qëndrueshmërinë elektorale të LVV-së në krahasim me partitë tjera, e që sipas tij vjen për shkak se partia fituese ka krijuar identitet të qartë politik.
Po ashtu, si faktor tjetër e përmendi edhe liderin Albin Kurti dhe gjuhën e tij politike.
“Një faktor tjetër i rëndësishëm është profili personal i liderit të saj, Albin Kurti. Pavarësisht kundërshtimeve politike ndaj tij, nuk mund të mohohet se ai ka zhvilluar një mënyrë komunikimi që në shumë raste rezulton më bindëse dhe më e strukturuar sesa ajo e kundërshtarëve të tij. Gjuha e tij politike, e mbështetur shpesh në argumentim dhe referenca intelektuale, i ka mundësuar të krijojë një raport të drejtpërdrejtë me shtresa të ndryshme të shoqërisë”.
Madje, sipas tij, me qasjen e tyre, partitë opozitare më shumë u paraqitën si një rikthim tek praktikat e së kaluarës, se sa si një ofertë e re politike.
“Nga ana tjetër, opozita nuk duket se ka arritur të prodhojë një alternativë të qartë programore. Në vend të një debati të fokusuar mbi ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe reformat institucionale, shpesh është vërejtur mbizotërimi i retorikës emocionale, i sulmeve personale dhe i një patriotizmi që shumë qytetarë mund ta perceptojnë si më tepër reaktiv sesa vizionar. Kjo ka bërë që kundërshtarët e qeverisë të mos paraqiten si një ofertë e re politike, por më tepër si një rikthim tek praktikat e së kaluarës”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, Vuniqi shtoi se, rezultati i këtyre zgjedhjeve ngre pyetjen nëse krizat politike dhe bllokadat institucionale që çojnë në zgjedhje të njëpasnjëshme. Mirëpo, për këtë ai kërkoi nga spektri politik të respektojë vullnetin qytetar dhe ta shndërroj atë në stabilitet institucional.
Në një demokraci funksionale, kur zgjedhjet nuk ndryshojnë në mënyrë domethënëse vullnetin e sovranit, përgjegjësia bie mbi klasën politike që të lexojë mesazhin e qytetarëve dhe të mos e mbajë vendin peng të krizave të pafundme. Mandati i dhënë nga votuesit nuk është vetëm e drejtë për të qeverisur, por edhe detyrim për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të siguruar vazhdimësinë e shtetit.
Jakupi: Elektorati zgjodhi vazhdimësinë në vend të ndryshimit.
Ndërsa, analisti Zejnullah Jakupi tha se, zgjedhjet e 7 qershorit nuk ofruan një ndryshim të madh në skenën politike, pasi rezultati i tyre ishte i ngjashëm me atë të 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
“Nëse një parti si Lëvizja Vetëvendosje arrin përsëri një rezultat shumë të ngjashëm me zgjedhjet e mëparshme dhe mbetet forca dominuese, mund të argumentohet se zgjedhjet nuk prodhuan një ndryshim të madh në raportet e forcave politike. Në këtë kuptim, opozita nuk arriti të bindë mjaftueshëm elektoratin se ofronte një alternativë që do të ndryshonte drejtimin politik të vendit. Kjo mund të interpretohet si një lloj konfirmimi i preferencës së votuesve për balancën ekzistuese”.

Pavarësisht kësaj, Jakupi u shpreh se, zgjedhje janë proces demokratik dhe ato ndonëse nuk ndryshuan pushtetin, ato e rikonfirmuan këtë herë atë.
Po ashtu, ai foli edhe për mundësinë që kishin partitë politike për ta shmangur procesin zgjedhor të 7 qershorit, ku sipas tij ndonjëherë edhe pse rezultati duket i parashikueshëm, procesi zgjedhor shërben për të testuar mbështetjen publike.
“Megjithatë, nuk do të thosha se zgjedhjet ishin thjesht një proces formal. Në demokraci, edhe kur rezultati mbetet i ngjashëm, zgjedhjet kanë funksionin e ripërtëritjes së legjitimitetit politik. Votuesit nuk votojnë vetëm për të ndryshuar pushtetin; ata mund të votojnë edhe për ta konfirmuar atë. Nëse qytetarët patën mundësinë të zgjedhin dhe shumica përsëri mbështeti afërsisht të njëjtin konfigurim politik, kjo vetë është një zgjedhje politike me rëndësi.
Sa i përket pyetjes nëse zgjedhjet duhej të ishin shmangur për t’u fokusuar te puna institucionale, në një sistem demokratik zgjedhjet zakonisht mbahen kur e kërkojnë kushtetuta, ligji ose dinamika parlamentare. Argumenti për shmangien e zgjedhjeve mund të ketë logjikë nga këndvështrimi i efikasitetit administrativ dhe stabilitetit institucional, por ai përplaset me parimin që legjitimiteti i qeverisjes duhet të verifikohet periodikisht nga qytetarët. Edhe kur rezultati duket i parashikueshëm, procesi zgjedhor shërben për të testuar nëse mbështetja publike vazhdon të ekzistojë”.
Tutje, analisti theksoi se, zgjedhjet edhe pse nuk ofruan ndryshime, elektorati tregoi se dëshiron vazhdimësinë në vend të ndryshimit.
“Prandaj, mund të thuhet se: Zgjedhjet mund të mos kenë sjellë një ndryshim të madh në ekuilibrin politik. Opozita mund të mos ketë arritur të krijojë një alternativë mjaftueshëm bindëse për shumicën e votuesve. Por vetë fakti që rezultati mbeti i ngjashëm nuk i bën zgjedhjet të panevojshme ose thjesht formale; ai mund të tregojë se elektorati zgjodhi vazhdimësinë në vend të ndryshimit.
Vlerësimi varet nga këndvështrimi: mbështetësit e qeverisë do ta shohin rezultatin si konfirmim të kursit aktual, ndërsa kritikët mund ta interpretojnë si shenjë të mungesës së alternativave të forta politike”, shpjegoi ai.
Në fund, Jakupi foli edhe për atë se çka shpërfaq për skenën politike, fakti që vendi shkon të zgjedhje të njëpasnjëshme në një kohë të shkurtë.
Sipas tij, zgjedhjet e përsëritura mund të perceptohen jo si zgjidhje e krizës politike, por si pasojë e pamundësisë së forcave politike për të ndërtuar konsensus minimal.
“Fakti që vendi u detyrua të shkojë në zgjedhje nacionale disa herë brenda një periudhe relativisht të shkurtër (rreth një viti e gjysmë) ngre gjithashtu pyetje për funksionimin e klasës politike në tërësi. Nëse rezultati elektoral mbetet afërsisht i njëjtë dhe forca kryesore politike, Lëvizja Vetëvendosje së bashku me partnerët e saj të koalicionit, kishte marrë rreth shumicën e votave, atëherë mund të argumentohet se problemi nuk qëndronte vetëm te preferenca e elektoratit, por edhe te mungesa e kulturës së kompromisit ndërmjet aktorëve politikë. Në demokracitë parlamentare, kompromisi është shpesh i domosdoshëm për të siguruar funksionimin e institucioneve. Kur vendi shkon vazhdimisht në zgjedhje pa prodhuar ndryshime thelbësore në raportet politike, kjo mund të shihet si tregues se elita politike nuk po arrin të gjejë zgjidhje institucionale brenda mandatit që i kanë dhënë qytetarët. Nga ky këndvështrim, zgjedhjet e përsëritura mund të perceptohen jo si zgjidhje e krizës politike, por si pasojë e pamundësisë së forcave politike për të ndërtuar konsensus minimal për funksionimin e institucioneve.
Megjithatë, për hir të balancës, duhet theksuar se kundërshtarët e këtij argumenti do të thoshin se përgjegjësia nuk qëndron domosdoshmërisht te mungesa e kompromisit, por te dallimet programore dhe politike që mund ta bëjnë të vështirë ose të papranueshëm formimin e marrëveshjeve të caktuara. Në këtë lexim, zgjedhjet e reja shihen si mekanizëm demokratik për të kërkuar një mandat më të qartë nga qytetarët, edhe kur rezultati përfundimtar nuk ndryshon ndjeshëm”, përmbylli analisti



Të tjera
Tër*met 3.6 ballë në Gjirokastër të Shqipërisë
Parashikimi i motit për fundjavën
Olmo: Yamali do të na nevojitet gjatë gjithë Botërorit