Manipulim i provave dhe sekuestrim i një AK 47 – policia jep detaje nga përleshja masive në Prishtinë ku u arrestuan 13 persona

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje lidhur me përleshjen masive që ndodhi në një diskotekë në Prishtinë.

Sipas raportit të policisë gjatë kësaj përleshje pati edhe të shtëna me armë zjarri.

“Pas raportimit për të shtëna me armë, policia në vendin e ngjarjes ka hasur në dy viktimat meshkuj kosovarë njëri i plagosur nga arma, ndërsa tjetri me lëndime. Të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, njofton policia.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një revole dhe një fishek.

Lidhur me incidentin janë arrestuar 13 meshkuj kosovarë të cilët me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është arritur të identifikohet dhe sekuestrohet edhe një armë AK 47 që ishte në posedim të njërit nga të dyshuarit e arrestuar.

“Në cilësi të provave materiale është sekuestruar edhe një DWR i kamerave të sigurisë që ishte larguar nga njëri prej të arrestuarve me qëllim të fshehjes së provave. Lidhur me rastin njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet për procedurat e mëtejme hetimore”, ka njoftuar policia.