Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026, sipas të cilave forcat ushtarake të Kosovës gëzojnë 87.4% të besueshmërisë së qytetarëve, duke e renditur edhe këtë vit FSK-në si institucionin më të besueshëm në Republikën e Kosovës, si dhe forcën ushtarake me nivelin më të lartë të besueshmërisë qytetare në mesin e të gjitha forcave ushtarake të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, janë një vlerësim i rëndësishëm për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e ushtrisë sonë.
“Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohjen e saj të thellë për qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin e vazhdueshëm ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky besim është dëshmia më e fuqishme se investimet e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, profesionalizmin e personelit dhe ndërtimin e një force moderne po japin rezultatet e tyre”, ka shkruar ai në Facebook”.
Sipas tij, ky sukses është meritë e çdo ushtaraku, nënoficeri, oficeri dhe pjesëtari të personelit civil të FSK-së, të cilët me përkushtim, disiplinë dhe integritet i shërbejnë vendit çdo ditë.
“Një falënderim i veçantë i takon Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, dhe Shtabit të Përgjithshëm për udhëheqjen profesionale dhe të përgjegjshme, si dhe përkushtimin në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, në bashkëpunim me të gjithë personelin e saj. Ministria e Mbrojtjes mbetet e përkushtuar të mbështesë më tej transformimin dhe modernizimin e FSK-së, në përputhje me standardet e NATO-s dhe objektivat strategjike të Republikës së Kosovës. Besimi i qytetarëve është nder i madh, por, mbi të gjitha, është përgjegjësi. Ai na motivon të vazhdojmë me edhe më shumë vendosmëri në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe avancimin e partneriteteve me aleatët tanë, në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pohoi se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për një Kosovë më të sigurt, më të mbrojtur dhe gjithnjë e më të gatshme për të përmbushur detyrat në kuadër të misionit të saj dhe aspiratën strategjike të Republikës sonë për anëtarësim në NATO.



Të tjera
Eskalon debati në Komunën e Gjilanit, përfshihet drejtori i VV-së dhe asamblisti i PDK-së (VIDEO)
Nesër KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve
Ish-këshilltari i Trump, John Bolton pranon fajësinë, ruajti në mënyrë të paligjshme informacione të sigurisë kombëtare