Fillimisht protestuan për flamingot, por tani turma në rrugët poshtë zyrës së kryeministrit shqiptar Edi Rama ka nisur të thërrasë edhe për shkolla, vende pune dhe standardin e jetesës dhe kërkon dorëheqjen e tij.
Zogjtë shtegtarë rozë u bënë simbol i protestave të përnatshme në Shqipëri, sepse ata grumbullohen në Lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur pranë qytetit bregdetar të Vlorës.
Një grup investitorësh ndërkombëtarë, përfshirë dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, synojnë të zhvillojnë një resort luksoz pranë zonës, dhe qeveria u ka dhënë statusin e “investitorit strategjik”.
Ende nuk është dhënë leje ndërtimi, dhe qeveria e Ramës thotë se vlerësimi i ndikimit në mjedis nuk ka nisur ende, por në terren janë vërejtur rrethime dhe mjete gërmimi.
Protestat lokale në shkallë të vogël për ndikimin e mundshëm mjedisor u shndërruan në protesta kombëtare një muaj më parë, kur një video ku roje private sigurie dhunonin një protestues u përhap në rrjetet sociale. Ngjarja është konfirmuar edhe nga kryeministri.
Pakënaqësia tani është zgjeruar, duke përfshirë shqetësime më të gjera për mënyrën se si po zhvillohet Shqipëria dhe si po qeveriset vendit.
Por anëtarja më e re e parlamentit shqiptar ka vendosur se bashkëpunimi me Partinë Socialiste nuk është më zgjidhja. Rama e kishte përzgjedhur personalisht 25-vjeçaren Majana Koçeku si kandidate në zgjedhjet e vitit të kaluar, pasi ajo ishte bërë e njohur si aktiviste mjedisi në qarkun e Shkodrës.
Tani ajo është larguar nga partia, duke thënë se rinia e saj nuk e lejonte “të qëndronte dhe të duartrokiste qeverinë dhe të bënte sikur nuk po ndodh asgjë”. Sipas saj, Rama është një pjesë e madhe e problemit.
“Ai nuk i frymëzon më njerëzit dhe mendoj se kjo e ka çuar në një krizë të madhe legjitimiteti. M’u desh kohë ta kuptoja se përtej fasadave të bukura që duken kaq të shkëlqyera, realiteti nuk është i njëjtë. Dhe njerëzit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë çdo ditë”, shprehet Koçeku.
Për momentin, situata duket se ka një ngërç. Protestuesit nuk po tërhiqen dhe as Rama nuk po largohet. Kështu, flamingot pritet të mbeten një pamje e njohur në protestat në rrugët e Tiranës./BBC



Të tjera
Trajneri i kombëtares së Botërorit mund të ndëshkohet nga FIFA, pasi festoi me flamur të Palestinës
10 ushqimet që pastrojnë trupin nga nikotina
10 ushqimet që pastrojnë trupin nga nikotina