Kanabis 1 770x431

Mbollën lëndë narkotike, arrestohet tre vëllezër në Durrës, asgjësohen dhjetëra bimë kanabis

Durrës/Kontrolle intensive të territorit dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i Pastër”.

Pas një hetimi proaktiv, finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”.

Vihen në pranga 3 vëllezër, të cilët u kapën në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.

Asgjësohen dhjetëra fidanë dhe bimë cannabisi. Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë intensifikuar kontrollet në terren, të bazuara në inteligjencën policore dhe në hetime proaktive.

Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi proaktiv, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Brothers”. Në kuadër të këtij operacioni u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

R. V., 26 vjeç, E. V., 23 vjeç dhe A. V., 20 vjeç, vëllezër, të tre banues në fshatin Maskuri, Durrës.

Këta shtetas, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Maskuri, kishin kultivuar në një parcelë, dhjetëra fidanë dhe bimë cannabisi. Gjatë operacionit, këta shtetas u kapën në parcelë, duke u kujdesur për bimët narkotike.

Gjatë hetimit proaktiv janë siguruar prova filmike kur këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shkonin në mënyrë të përsëritur te parcela për t’u kujdesur për bimët.

Gjatë operacionit shërbimet e Policisë kanë asgjësuar fidanët dhe bimët narkotike, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një gjenerator, tuba uji, pleh kimik, kubikë polesteroli, 2 automjete dhe 3 celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.