Një rast i rëndë i shfrytëzimit seksual dhe kërcënimeve ka ndodhur në Pejë. Një vajzë e mitur ka denoncuar 56-vjeçarin Sadik Idrizaj, i njohur me emrin Agron, për abuzim seksual dhe dhunë psikologjike të vazhdueshme. S.A (emër i njohur për redaksinë) ka treguar se abuzimi ka nisur që kur ishte vetëm 16 vjeçe dhe ka vazhduar për dy vite radhazi. Sipas vendimit për fillim të hetimeve ai dyshohet për këtë vepër penale “shtrëngim” dhe “sulm seksual”. Gazeta ju sjell rrëfimin ekskluziv të viktimës.
E mitura siç ka mësuar Gazeta ka treguar se për herë të parë ishte kontaktuar nga Agroni në vitin 2022, kur ai e telefononte me numra të ndryshëm.
Pasi e bllokoi në telefon, ai e ndaloi atë në rrugë, duke i drejtuar armën dhe duke e kërcënuar për t’u futur në makinë. “Më tha ‘hy, ti je gruaja ime’, dhe më tregoi foto të familjes sime dhe të mia, duke më kërcënuar se do t’i vras nëse nuk bëhem gruaja e tij”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar gjithashtu se ai e ka shoqëruar në qytet, ku e ka detyruar të buzëqeshë për foto, ndërkohë që ishte e frikësuar dhe e detyruar të sillet sikur të ishte në një lidhje dashurie.
“Ai më ka drejtuar me fjalët: ‘Ti je gruaja ime dhe do të bëhesh gruja ime, përndryshe do t’i vras të gjithë’,” ka rrëfyer vajza.
Përveç kërcënimeve dhe manipulimeve, ajo ka treguar se ka qenë e detyruar të bëjë edhe një tatuazh në trupin e saj, pasi i dyshuari e kërcënoi dhe e detyroi nën presionin e tij të bëjë një tatuazh me inicialet e tij.
Pas përfundimit të tatuazhit, ajo thotë se ka humbur vetëdijen dhe është zgjuar në shtrat, ku ka gjetur atë dhe një shok të tij duke pirë alkool.
“Agroni me ka thënë se kom me ta ba një tatu qe ka me dëshmua qe je gruja jeme, dhe unë nuk kam dëshirua me e bo tatun mirëpo me ka detyrua me e bo tatun dhe nen trysnin e tij dhe me kërcënimin e tij me është bere tato shkronja A dhe një flutur ne gjoks dhe pasi kanë fillua me ma bo taton mi kanë shtrëngua duart dhe unë e kam humb vetëdijen ndërsa unë kur jam qu e kam gjete veten shtrime ne shtrat ku aty kanë qene edhe Agroni me shokun e tij duke pire pije alkoolike“.
Ajo ka shtuar se vazhdimisht ka qenë e përndjekur, madje sipas saj kur Agroni ishte në Amerikë, ai angazhonte persona të tjera që ta përndjekin atë.
Po ashtu, ajo ka pohuar se një person tjetër, i lidhur me Agronin, ka pasur rolin e “ndjekësit” të saj dhe e ka informuar se është nën vëzhgim.
“Bile ka pas raste kur ky djali i vëllait te Agronit me ka dale dhe me ka detyrua edhe ai me hip në veturë me te dhe me zor me ka mësua me e vozit veturën, duke i dërguar foto te mijat Agronit duke e vozit veturën ku me detyrojke me buzëqesh me demek se unë jam shumë e lumtur duke ju drejtuar me fjalët I love you menxi spo pres me ardh ne Kosove, unë jam gruja jote”, ka thënë ajo.
Viktima kishte deklaruar se ai vazhdimisht e kishte prekur e puthur, por që sipas saj nuk ka kryer marrëdhënie.
“Jo nuk kam pasur por ai gjithmonë ka tentu me bo marrëdhënie me mu mirëpo unë nuk kom dasht gjithmonë i kom rezistu ndërsa ai me ka thënë hajt hajt se i bon ti 18 vjet tona e she ti a bon mardhanie, ai me ka prek dhe me ka puthe gjate tere kohës pa dëshirën time mirëpo marrëdhënie intime me te nuk kam pas”.
Agroni, thotë ajo se i kishte thënë që i ka veç 36 vjet, mirëpo shton që vërehej që është i vjetër.
“Agroni me ka thënë qe i ka 36 vjet mirëpo aj ne pamje vërehet qe është i vjetër është i trash nuk ka flok është qel mban gjithmonë kapuç ka me shumë se 100kg dhe i gjate ndoshta 1.80cm, sytë e kafe hundën e madhe”.
Çka dinte ajo për Agronin?
Viktima deklaronte që Agroni ishte një milioner, që jetonte në Amerikë, por që vinte shpesh në Kosovë, më saktë në Pejë. Ai sipas saj kishte edhe dy djem të moshës së saj.
“E di që jeton në Amerikë, ka kamionët e tij dhe firmën e vet, dhe se ka pasur një grua boshnjake, por janë ndarë. Ai ka dy djem të cilët janë në moshë të ngjashme me mua, dhe një motër që jeton në Zvicër,” ka thënë ajo.
Ajo përmend edhe një mesazh që Agroni i kishte dërguar dikujt tjetër, duke e quajtur atë “gruan e tij”, pas një komenti që komshiu i saj kishte bërë asaj në Instagram.
“Ai më ka thënë se ne polici nuk ka kush që mund të më bëjë gjë, sepse ai është milioner,” ka shtuar ajo.
Tutje, viktima shtonte se ishte e detyruar të pranonte para ai për shkak të kërcënimit dhe presionit. Para që ia dërgonte nga Amerika në Kosovë.
“Hera e parë që më ka dërguar para ka qenë kur unë isha 16 vjeç. Ai më ka thënë se duhej t’i pranoja, sepse ai do të kujdesej për mua dhe ishte i detyruar të më dërgonte para,” shpjegoi ajo, duke shtuar se shumica e parave ishin përdorur me shoqet e saj, por të mos i dërguar në shtëpi për shkak të frikës.
Ajo ka folur edhe për një moment kritik, kur së bashku me familjen ishin nisur në pushime në bregdetin shqiptar, ndërkohë që Agroni i kërkonte me ngulm lokacionin. Ajo e kishte gënjyer.
“Kur kam qenë në det, në gusht 2023, ai kërkoi të dinte se ku isha. I thashë se isha në Ulqin, ndërkohë që isha në Shëngjin në Shqipëri. Ai ka ardhur në Ulqin duke më kërkuar,” tregoi ajo, duke theksuar se ka qenë presioni nga ana e Agronit për ta kontrolluar.
Pas këtyre ngjarjeve dhe disa telefonatave gjatë festës së Bajramit, ku Agroni kontaktoi familjen e saj dhe kërkoi të dinte për të, ajo me sugjerim të babait vendosi të bëjë denoncim në polici.
“Familja ime më bind të raportoj në polici për këtë rast, pasi kjo situatë ka vazhduar për dy vjet,” tha ajo.
Kërkesa për përjashtim të prokurores
Viktima denoncoi rastin para disa muajsh, dhe deri tani është intervistuar dy herë nga Policia, me autorizim të Prokurorisë. Megjithatë, familjarët e saj kanë shprehur dyshime në lidhje me trajtimin e rastit nga prokurorja Suada Hamza, që ka marrë përsipër hetimin.
Sipas burimeve të Insajderit, prindi i viktimës ka dorëzuar një kërkesë te Kryeprokurori, duke kërkuar përjashtimin e prokurores Hamza nga hetimin e rastit. Ky kërkesë është bërë pasi familja ka dyshime se hetimi nuk ka përparuar si duhet.
Për më tepër, Insajderi ka mësuar se i dyshuari kryesor, Sadik Idrizaj, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gazeta ka dërguar pyetje për Prokurorinë, për të kuptuar përparimin e hetimit që nuk përfshin vetëm dyshime për shfrytëzim seksual të të miturës, por edhe akuza për kërcënim dhe vepra të tjera të mundshme.
Prindi i viktimës është intervistuar si denoncues në kuadër të hetimit, ku gjithashtu ka deklaruar se ka pasur incizime me kërcënime nga ana e Sadik Idrizajt.
Në përgjigjen që Insajderi ka marrë nga Prokuroria në Pejë, thuhet se lënda është regjistruar si çështje e rregullt dhe është marrë në kompetencë më 15 qershor 2024.
Pas analizimit të materialeve, Prokuroria mori aktvendim për fillimin e hetimeve më 31 korrik 2024.
Sipas Prokurorisë, Idrizaj po hetohet për disa vepra penale, përfshirë “sulm seksual” dhe “shtrëngim”, në lidhje me nene të Kodit Penal të Kosovës.
Të tjera
Komshiq pret Kurtin në Presidencë: Nuk do ta pyesim Dodikun, as këdo tjetër me kë të takohemi
“Edi Rama është urdhërdhënësi i këtij ndalimi” – Pse u ndalua kënga “Mora Fjalë” në stadiumet shqiptare?
Të arrestuarit nga Gjykata Speciale dërgohen në Hagë