Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thuhet se ka ndërhyrë personalisht te presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për të kërkuar rishikimin e pezullimit të sulmuesit Folarin Balogun, vetëm pak orë pasi ylli i SHBA-së u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Bosnjë e Hercegovinës.
Sipas raportimit të “The New York Times”, Trump e telefonoi Infantinon dhe i kërkoi të shqyrtonte rastin e Balogunit, i cili sipas rregullave duhej të mungonte në sfidën e 1/16 së finales kundër Belgjikës.
Të dielën, FIFA mori vendimin befasues për ta pezulluar zbatimin e dënimit, duke konfirmuar se Balogun do të kishte të drejtë të luante kundër Belgjikës.
Ky konsiderohet një vendim jashtëzakonisht i rrallë, pasi është hera e parë që nga viti 1962 që një futbollist lejohet të luajë në Kupën e Botës, edhe pse ishte pezulluar automatikisht pas një kartoni të kuq.
Sipas të njëjtit raport, pas përjashtimit të Balogunit, zyrtarë të lartë të administratës amerikane, përfshirë sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick dhe Andrew Giuliani, u angazhuan së bashku me avokatë për të ndihmuar Federatën Amerikane të Futbollit në apelimin e rastit, pavarësisht se rregulloret e FIFA-s nuk parashikojnë një procedurë të tillë.
Argumenti kryesor ishte se kartoni i kuq ishte dhënë gabimisht, pasi gjyqtari kishte përdorur pamjet me lëvizje të ngadaltë gjatë rishikimit me VAR.
Raporti shton se Trump ngriti edhe pretendime të mëparshme ndaj gjyqtarit brazilian Raphael Claus, i cili ishte akuzuar publikisht për manipulim ndeshjesh në Brazil. Megjithatë, autoritetet braziliane dhe FIFA nuk kanë gjetur asnjë provë që mbështet këto akuza.
Pas rikthimit të Balogunit, Trump zhvilloi një tjetër bisedë telefonike me Infantinon dhe e përgëzoi për vendimin, ndërsa kontaktoi edhe trajnerin e SHBA-së, Mauricio Pochettino, për t’i uruar fat në ndeshjen kundër Belgjikës.
Vendimi i FIFA-s shkaktoi reagim të ashpër nga Federata e Futbollit e Belgjikës, e cila deklaroi se ishte “e habitur” nga ky zhvillim dhe njoftoi se po shqyrton të gjitha opsionet ligjore.
Në deklaratën e saj, FIFA sqaroi se pezullimi i Balogunit është shtyrë për një periudhë prove njëvjeçare. Nëse sulmuesi amerikan kryen një shkelje të ngjashme gjatë kësaj periudhe, dënimi do të hyjë automatikisht në fuqi, përveç çdo sanksioni tjetër për incidentin e ri.
Rasti ka hapur debat të madh në botën e futbollit për marrëdhënien mes Infantinos dhe Trumpit, ndërsa shumë drejtues të futbollit kanë ngritur pikëpyetje nëse është krijuar një precedent që mund të përdoret edhe nga kombëtaret e tjera në raste të ngjashme.





Të tjera
Xhenxhefili natyral është më efikas se kimioterapia për luftimin e kancerit
LVV: Për qeverinë i kemi votat, më pas duhet të gjejmë konsensus për Presidentin
FBI: Kemi sekuestruar mbi 600 dronë që fluturonin mbi stadiumet ku zhvilloheshin ndeshjet e Kupës së Botës