Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka kërkuar nga operatorët ekonomikë që të sigurojnë deklarim të qartë dhe të saktë të produkteve të qumështit në treg, si dhe ndarje të dukshme të tyre në rafte sipas përbërjes. Qëllimi i kësaj mase është mbrojtja e konsumatorëve dhe parandalimi i praktikave mashtruese gjatë shitjes së këtyre produkteve, transmeton KosovaPost.
MINTI i njofton të gjithë operatorët ekonomikë që veprojnë në fushën e prodhimit, importit, distribuimit, si dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të qumështit se janë të obliguar të respektojnë kërkesat për informim të drejtë dhe prezantim të qartë të produkteve.
Sipas njoftimit, “deklaracioni i produktit në gjuhët zyrtare, i vendosur në paketim, duhet të paraqesë në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe të dukshme përbërjen e produktit”, duke specifikuar nëse produkti është me bazë shtazore (100%) (dairy), me bazë bimore (plant-based milk), apo me bazë të qumështit pluhur.
Po ashtu, theksohet se subjektet që bëjnë shitje me pakicë janë të obliguara të sigurojnë ndarjen dhe prezantimin e qartë të produkteve në rafte, sipas kategorive përkatëse: produktet e qumështit me bazë shtazore, produktet me bazë bimore dhe produktet me bazë të qumështit pluhur.
Ministria bën të ditur se përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të intensifikojë aktivitetet e inspektimit në ditët në vijim, “me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të praktikave mashtruese”.
Në rast të moszbatimit të legjislacionit në fuqi për ndarjen fizike dhe etiketimin e produkteve, operatorët ekonomikë do të ndëshkohen sipas dispozitave ligjore.
Njëkohësisht, qytetarët e Republikës së Kosovës ftohen që, në rast se vërejnë parregullsi, përfshirë mungesën e klasifikimit të produkteve apo mos deklarimin e qartë të përbërjes, të paraqesin ankesat e tyre së bashku me dëshmi përkatëse, përmes numrit të telefonit +383 (0) 46 311-000 (Viber), ose adresës elektronike [email protected].
Për çdo parregullsi të konstatuar gjatë inspektimeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.



Të tjera
Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Do të vijmë me lajme të mira
Rezolutë në Kongresin amerikan për mbështetjen e Kosovës drejt NATO-s
Presidenti i FIFA-s: Irani do të luajë ndeshjet e Kupës së Botës në SHBA