“Në Hagë po ndodhë mrekullia”/ Çfarë po paralajmëron Gazmend Halilaj?

Avokati i njohur, Gazmend Halilaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota e Lajmeve” ka paralajmëruar se Gjykata Speciale po shkon drejt zbulimit dhe dënimit të autorëve të vrasjeve politike në Kosovë.

“Sekëndjemi, në Dhomat e Specializuara në Hagë tani veç po ndodhë mrekullia, gjegjësisht drita për ata që duan drejtësi dhe Shtet Ligjor, e kjo tanimë po shihet edhe nga pesimistët më të mëdhenj, e pos tjerash, këto procese jo vetëm që do të vënë drejtësinë në vend dhe dënimin meritor për urdhërdhënësit dhe kryesit e këtyre veprave, por gjithsesi do jetë një mesazh edhe për brezat e ardhshëm që pushteti, pasuria, fitohet përmes shkollimit, pendës dhe punës së palodhshme dhe të ndershme, por kurrsesi përmes mjeteve të dhunës siç ndodhi në dekadat e fundit”, shprehet Halilaj për “Bota e Lajmeve”.

Ai deklaron se dëshmitarët e Speciales nuk duhet për asnjë moment të dorëzohen e shiten tek ata që kryen këto krime.

“Mbi te gjitha, kjo Gjykatë duhet përkrahur pa asnjë rezervë, dëshmitarët duhet të jenë të pa ndikueshëm në dëshmitë e tyre, të mos zmbrapsen, të mos shiten e blihen për asnjë çmim, sepse Kosova nuk mundë të ecë para mbi krimet e pazbuluara. Mos të ishte Gjykata Speciale, njerëzit gati e humben besimin edhe në Zot… Privatizimi i luftës, i vuajtjeve, fondeve dhe i çdo gjëje, kinse ne jemi meritorët, për të ardhur në pushtet, dhe mbajtur pushtetin, pa zgjedhur mjete as metoda, është pjesa më e dobët e historisë tonë në dekadat e fundit”, përfundon avokati Gazmend Halilaj.