Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) ka deklaruar se shpërthimi i hantavirusit në një anije turistike nuk duhet të krahasohet me pandeminë e COVID-19, ndonëse paralajmëron se mund të shfaqen edhe infeksione të tjera.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri tani janë konfirmuar pesë raste të hantavirusit të lidhura me shpërthimin në anije, ndërsa tre persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë sëmurë.
Një eksperte e WHO-së ka theksuar se situata nuk ka ngjashmëri me COVID-19.
“Ky nuk është SARS-CoV-2. Kjo nuk është fillimi i një pandemie COVID-i. Është një shpërthim që po e shohim në një anije,” tha epidemiologia Maria Van Kerkhove, duke shtuar se virusi nuk përhapet në të njëjtën mënyrë si koronaviruset, por përmes kontaktit të afërt.
Ajo ka shtuar se masat që po ndërmerren në bord janë parandaluese për të shmangur përhapjen e mëtejshme të infeksionit.
Autoritetet evropiane kanë bërë të ditur se rreziku për publikun mbetet i ulët, pavarësisht situatës në anije.
Në anijen “MV Hondius”, e cila ndodhet e izoluar pranë brigjeve të Kepit të Gjelbër me rreth 150 persona në bord, situata vazhdon të jetë nën monitorim. Anija kishte nisur një udhëtim nga Argjentina më 1 prill, por itinerari i saj është ndryshuar pas shpërthimit të infeksionit.
OBSH dhe autoritetet shëndetësore po hetojnë gjithashtu mundësinë e transmetimit të rrallë nga njeriu te njeriu, ndërsa është konfirmuar edhe një rast i lidhur me anijen në Zvicër.
Pas vdekjes së parë në bord, rreth 40 pasagjerë janë larguar nga anija gjatë një ndalese në ishullin Shën Helena, ndërsa disa prej tyre janë vendosur në masa izolimi.
Ndërkohë, 14 pasagjerët spanjollë pritet të vendosen në karantinë deri në 45 ditë në një spital të specializuar në Madrid.
Çfarë është hantavirusi?
Hantavirusi është një grup virusesh që bartet nga brejtësit dhe transmetohet te njerëzit përmes thithjes së grimcave nga jashtëqitjet e thara të tyre. Sipas CDC-së amerikane, ai mund të shkaktojë sëmundje të rënda që prekin mushkëritë ose veshkat. /Euronews



Të tjera
HIV në Kosovë: Një i vdekur e dy në spital – regjistrohen 9 raste të reja
Fëmijët e parë më të zgjuar, e vërteton shkenca
Juventusi vendos çmimin për shitjen e Edon Zhegrovës