“Osmani nderon Harry Bajraktarin me çmimin e lartë shtetëror ‘Urdhri i Lirisë’”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Osmani përmes një postimi në Facebook, tha se për më shumë se tri dekada Bajraktari ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, duke bashkëpunuar ngushtë me Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe duke përfaqësuar çështjen e Kosovës para institucioneve amerikane në periudha vendimtare.

“Gjithashtu, ai ka qenë mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ka ngritur zërin e komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare.

Me përkushtim të pandalur, ai ka ndërtuar ura të rëndësishme bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin amerikan dhe me udhëheqës të tjerë në SHBA, duke mbështetur Kosovën në momentet vendimtare dhe duke qëndruar krah popullit tonë.

Urime dhe mirënjohje e përjetshme”, shkroi e para e shtetit.