Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur se Kosova ka ecur përpara me reformat, sidomos në sundimin e ligjit, por jo edhe Bashkimi Evropian sa i përket anëtarësimit të Kosovës.
Para nisjes së Samitit të liderëve BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Osmani para mediave ka thënë se procesi i anëtarësimit nuk është i pamundur, megjithëse kompleks.
“Jemi sërish këtu si partner të përkushtuar të BE-së, si shtet që jemi me linjëzim 100% me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si shtet që vazhdimisht ka treguar progres dhe përkushtim të lartë për reforma, qofshin në sundimin e ligjit, ekonomi apo tjera. Fatkeqësisht nuk i kemi parë që këto reforma janë përkthyer edhe në progres shumë të prekshëm sa i përket integrimit evropian të Kosovës meqë procesi është shumë kompleks… Por nëse e sheh çfarë ka bërë BE-ja në kthim, nuk shohim shumë sepse aplikimi ynë është duke qëndruar ende në sirtarët e BE-së. E di që është proces kompleks por nuk është i pamundur”, u shpreh ajo.
Osmani ka shtuar se nga takimet që ka zhvilluar të mërkurën në Bruksel ka parë “elemente pozitive” për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës.
“Do të punojmë me partnerët tanë që shumë shpejt që të merret vendimi për heqjen e plotë. Kemi elemente pozitive në diskutimet që kisha sot gjatë ditës dhe shpresoj që të kemi heqjen e plotë të masave”, ka theksuar Osmani.
Ajo u pyet edhe për mosprezencën e palës serbe në këtë samit, e u përgjigj se këtë gjë as nuk e ka “vërejtur”.
“Nuk e pasna vërejtur mungesën e tyre, e vetmja gjë që ka sjellë Serbia në këtë samit ka qenë prezenca e një shteti që mbron interesat e Rusisë. Nuk është që do të na mungojë në këtë samit sonte”, ka theksuar Osmani.



Të tjera
Gjermania në zi! Pesë viktima në një ngjarje tragjike pranë një qendre të të rinjve
Fitore Pacolli takon ministrin saudit Al-Fadhli, kërkon thellimin e bashkëpunimit në sektorin e ujit
Haxhiu dhe Kryeziu nga PDK dorëzojnë ankesë në PZAP, kërkojnë rinumërim të votave