Pacolli për laurën në Prevallë: Nuk ka nevojë për protestë, zgjidhja do të gjendet me dialog

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka reaguar lidhur me shqetësimet e banorëve për vendosjen e laurës në rrugën drejt Prevallës.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se asnjë vendim nuk do të merret pa u zhvilluar dialog me banorët dhe palët e interesit.

“Të nderuar banorë të Prevallës dhe fshatrave përreth, kam përcjellë shqetësimet e ngritura lidhur me vendosjen e laurës në rrugën për në Prevallë. Dua t’ju siguroj se asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, çështja e vendosjes së laurës dhe mënyra e menaxhimit të qarkullimit do të diskutohen bashkë me banorët, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme.

Ajo ka shtuar se aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite, ku po përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Ujit.