Papa Leo XIV kërkon falje historike për rolin e Vatikanit në legjitimimin e skllavërisë

Papa Leo XIV kërkon falje historike për rolin e Vatikanit në legjitimimin e skllavërisë

Papa Leo XIV ka bërë një kërkimfalje historike të hënën për rolin që Selia e Shenjtë ka luajtur në legjitimimin e skllavërisë dhe për dështimin për të dënuar atë për shekuj.

Ai e ka quajtur këtë si një plagë në kujtesën kristiane, shkruan Associated Press.

“Është e pamundur të mos ndiesh një pikëllim të thellë kur mendon për vuajtjet dhe poshtërimin e pamasë që kanë përjetuar kaq shumë njerëz, në kontrast të plotë me dinjitetin e tyre të pamatshëm si persona të dashur pafundësisht nga Zoti”, shkroi Leo. “Për këtë, në emër të kishës, kërkoj sinqerisht falje”.

Papë të mëparshëm kanë kërkuar falje për  përfshirjen e të krishterëve në tregtinë me transatlantike me skllevër, por asnjë nuk e ka pranuar publikisht më parë rolin që kanë luajtur papët në të kaluarën në dhënien e sovranëve evropianë autoritet të qartë për të nënshtruar dhe skllavëruar “të pafetë”.

Papa i parë në histori i lindur në SHBA, historia familjare e të cilit përfshin si skllevër ashtu edhe pronarë skllevërish, kërkoi falje në enciklikën e tij të parë, “Magnifica Humanitas” (Njerëzimi Madhështor), e cila u publikua të hënën.

Manifesti gjithëpërfshirës ka të bëjë me mbrojtjen e njerëzimit në një epokë të mbështetjes në rritje te inteligjenca artificiale.

Leo e ngriti çështjen e tregtisë transatlantike të skllevërve në lidhje me atë që ai e quajti format e reja të skllavërisë dhe kolonializmit që po nxit revolucioni dixhital, siç janë praktikat e parregulluara të punës në sigurimin e mineraleve të rralla të nevojshme për çipat e inteligjencës artificiale.

Vatikani ka këmbëngulur se gjithmonë e ka mbështetur dinjitetin e të gjitha qenieve njerëzore si fëmijë të Zotit.

Por një sërë direktivash të shekullit të 15-të nga Vatikani autorizuan sovranët portugezë të pushtonin Afrikën dhe Amerikat dhe të skllavëronin jo-të krishterët.