“Për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja Vetëvendosje ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues. Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të.
Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.
Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje”, kështu ka njoftuar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje të shtunën pas mbledhjes së Kryesisë të mbajtur të premten.
Lëvizja Vetëvendosje ka pritur përgjigje nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës deri të dielën në mbrëmje, por një përgjigje zyrtare nuk ka marrë.
“Nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndryshe, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një përgjigje me shkrim nuk ka pasur nga PDK, parti kjo më e madhe opozitare në Kuvend.
Para një seance parlamentare, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se ai e ka deklaruar edhe më herët se çështja e presidentit është e mbyllur për PDK-në.
Sipas tij, oferta e LVV-së nuk është serioze.
Nesër mbaron afati ligjor për çështjen e presidentit, ndërsa tashmë raportohet që sot duke filluar nga ora 17:00, të mbahet seanca e Kuvendit që në pikë të rendit të ditës ka këtë çështje.
Sipas tij, ai ka përfshirë në proces PDK-në dhe LDK-në në vend se t’ua imponon një kandidat të vetëm.
“Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për tre kandidatë të përbashkët për Presidentin e kam parë si një qasje realiste dhe konstruktive në një kontekst politik shpesh të polarizuar si ai i Kosovës. Duke ofruar më shumë se një emër, kjo parti ka sinjalizuar gatishmëri për kompromis dhe përfshirje, duke lënë hapësirë që edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të ndihen pjesë e procesit, në vend që t’u imponohet një kandidat i vetëm”, ka thënë Halilaj.
Iniciativa mund të interpretohet si përpjekje për të ndërtuar konsensus institucional, shprehet Halilaj, por të njëjtën kohë sipas tij, kritikët mund ta shohin si një strategji të zgjuar politike për të shmangur barrën e përgjegjësisë në rast të dështimit.
“Megjithatë, realizmi i pranimit të këtij propozimi ka mbetur i kufizuar për shkak të rivaliteteve të thella politike dhe mungesës së besimit ndërmjet subjekteve kryesore. Përkundër kësaj, iniciativa në vetvete përbën një hap përpara drejt kulturës së dialogut dhe mund të interpretohet si përpjekje për të ndërtuar konsensus institucional. Në të njëjtën kohë, kritikët mund ta shohin këtë si një strategji të zgjuar politike për të shmangur barrën e përgjegjësisë në rast dështimi, duke e zhvendosur fokusin tek refuzimi eventual i partive të tjera”, ka pohuar avokati.
Tutje, sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje të reja pasojat mund të jenë të ndjeshme, mund të ketë lodhje të elektoriatit, si dhe ashpërsi të retorikës politike.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka mbajtur disa takime me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, lidhur me çështjen e presidentit.
Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa në një ofertë të dytë postin e kryeparlamentarit. LDK i kishte refuzuar këto oferta dhe e kishte akuzuar Kurtin se synon t’i kontrollojë që të gjitha tri institucionet kryesore në vend.
Edhe PDK-së i kishte ofruar postin e kryeparlamentarit po ashtu, por pas mesazhit të Kurtit për takim, PDK nuk pranoi takim, duke thënë e quajtur të mbyllur “kontributin tonë” për çështjen e presidentit.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.



Të tjera
Kurti kërkon presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për të pagjeturit
Dënim me burgim për Gjukanoviq, Sveçla: Institucionet do të vazhdojnë luftën kundër spiunazhit
Çmenduri: Antony Joshua rikthehet në ring, do të përballet me shqiptarin Kristian Prenga