Presidenti në udhëkryq: LVV fton, PDK refuzon

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) që të propozojnë tre emra të përbashkët jopartiakë për president, duke u zotuar se do t’i mbështesë me nënshkrime dhe votë për të shmangur zgjedhjet e reja.

LVV ka bërë të ditur se pret propozimet deri të dielën në mbrëmje, vetëm dy ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit më 28 prill.

“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga LVV-ja e s’ka as tash”, ka deklaruar Hamza.

Ndërkohë, LDK ka vendosur kushte për mbështetjen e saj. Kryetari Lumir Abdixhiku ka kërkuar garanci nga LVV për 66 vota në Kuvend në rast se LDK propozon Vjosa Osmanin për presidente.

Deklaratat e tij janë kritikuar nga deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila ka thënë se LDK po mban qëndrime kontradiktore dhe kërkesa të dyfishta në raport me shumicën parlamentare.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 28 prill, ndërsa në rast të mosarritjes së marrëveshjes politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.