Shërbimi satelitor i internetit Starlink i Elon Muskut ka pasur një ndërprerje të shkurtër të hënën në mëngjes, duke ndikuar edhe në Ukrainë, ku ushtria e përdor si lidhje thelbësore për komunikim në vijën e frontit.
“Starlink aktualisht po përjeton ndërprerje të shërbimit. Ekipi ynë po heton”, thuhej në njoftimin zyrtar në faqen e kompanisë, pa dhënë hollësi të tjera.
Komandanti i forcave ukrainase për dronë bëri të ditur se “Starlink u fik përgjatë tërë vijës së frontit në orën 07:28 sipas kohës së Ukrainës (06:28 sipas kohës qendrore evropiane)”.
Ai shtoi përmes një postimi në Telegram se në orën 08:02 shërbimi filloi të rikthehej gradualisht.
Portali që monitoron ndërprerjet e internetit, Downdetector, raportoi se mbi 43 mijë përdorues në Shtetet e Bashkuara kishin hasur probleme me Starlink gjatë kësaj kohe.
Starlink, i cili menaxhohet nga kompania SpaceX e Muskut, ofron shërbime interneti përmes një konstelacioni satelitor në orbitën e ulët të Tokës dhe përdoret gjerësisht në zona të largëta dhe rajone të konflikteve në mbarë botën. /REL



Të tjera
Ronaldo e nderon: Luka, urime për gjithçka!
41 vjeç dhe bën historinë, goli që theu çdo tabu në Botëror dhe rruga drejt 1000 golave!
Reagime pas dënimit të Bajroviqit, dëshmitarët: S’pamë drejtësi për Masakrën e Staradranit