Kritika të shumta ndaj institucioneve të drejtësisë, për mos reagim të duhur ndaj kërcënimeve që i ishin bërë adresoi presidentja e shtetit Vjosa Osmani.
Ato u përsëritën sërish nga presidentja ditë më parë, në konferencën që për shkak pati situatën e krijuar me reagimin e mbrojtjes së afërt ndaj një gazetari në një shkollë private ku shkojnë vajzat e saj.
“Deri sot përkundër dhjetëra kërcënimeve me jetë për vrasje me plumb në ballë, për ngrehje zhag e dëbim nga Kosova, për dhunim të fëmijëve të mi është hera e vetme në historinë e institucioneve të Kosovës, që drejtësia nuk ka ndërmarr asnjë masë, zero dhe ju duhet të pyesni se në favor të kujt shkon, se një president i shtetit, kushdo qoftë ai ose ajo mos ta ketë trajtimin e barabartë në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.
Por të kundërtën e kësaj, e thonë në prokurorinë speciale të Kosovës.
Në një përgjigje për Dukagjinin nga ky institucion kanë thënë se kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme, por nuk kanë dhënë asnjë detaj shtesë për rastet.
“Prokurori i rastit, ka autorizuar Njësinë nga Krimet e Rënda dhe Krimet Kibernetike për të mbledhur prova dhe është në koordinim të plotë me hetuesit policorë, në identifikimin e të dyshuarve dhe sigurimin e provave për ndriçimin e dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti. Në këtë fazë, nuk mund të ndajmë më shumë informacione lidhur me zhvillimin e procedurave hetimore”, ka deklaruar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, nuk i kursejnë kritikat për gjuhën e presidentes në raport me institucionet e drejtësisë.
“Komunikimi insituticional është forma e bashkëpunimit që duhet të jetë e jo komunikatat apo deklarimet politike përmes konferencave për shtyp, një qasje e tillë e humb besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, nëse presidentja del e ankohet në këtë mënyrë në punën e sistemit të drejtësisë, paramendo se si ndihen qytetarët..”, ka thënë Gzim Shala – IKD.
Kohë më parë, nga presidenca, ishin publikuar disa e-maile me përmbajtje kërcënuese ndaj presidentes Osmani dhe familjes së saj, por nuk është raportuar për të ndaluar ose të dyshuar për to.



Të tjera
MINTI dhe Instituti GAP shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit në politikat zhvillimore
Pezullim misterioz nga FIFA, SHBA kërkon përgjigje pas eliminimit nga Botërori
Këshilla të nevojshme për shëndetin oral