Enver Bytyçi: Rinia është forca që po mban gjallë protestat në Shqipëri
Për 19 ditë me radhë, qytetarët kanë protestuar në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Në ditën e 20-të të tubimit, protestuesit do të mblidhen sërish në kryeqytet, ndërsa, pavarësisht temperaturave të larta, organizatorët presin pjesëmarrje të madhe.
Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota Sot”, ka vlerësuar se protestat burojnë nga pakënaqësi të thella qytetare dhe se ato janë bashkuar rreth parullës “Shqipëria nuk është në shitje”, duke tërhequr veçanërisht të rinjtë.
Bytyçi ka komentuar protestat e vazhdueshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke i krahasuar ato me lëvizjet e vitit 1991 dhe duke i cilësuar si reagim ndaj zhvillimeve që, sipas tij, qytetarët nuk mund t’i tolerojnë më.
“Protestat në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, kësaj radhe, njësoj si në vitin 1991, burojnë nga shkaqe të cilat qytetarët nuk i durojnë më. Shqipëria është tashmë në rrezik nga dy agresivitete të një axhende të zhbërjes së saj. Së pari nga shpopullimi dhe së dyti nga kalimi në pronësi i territorit të saj tek të huajt. Të dyja këto dukuri shkatërruese e rrënuese për kombin janë projekte ndërkombëtare që kanë si ekzekutor kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama!”, ka deklaruar ai.
“Logoja ose parulla kryesore e protestës është ‘Shqipëria nuk është në shitje!’ Kjo logo i bashkon të gjithë protestuesit dhe është gjithashtu motivi kryesor pse njerëzit, sidomos rinia, janë në sheshe. Pavarësisht kësaj, në protestë marrin pjesë kategori të ndryshme sociale, me bindje e pikëpamje politike, si dhe me besime fetare. Që do të thotë se, përveç logos kryesore, ata përdorin gjithashtu parullat e tyre të veçanta. Por thelbi dhe kërkesa e patjetërsueshme është largimi i qeverisë Rama, dorëheqja e kryeministrit”, është shprehur ai.
Bytyçi ka vlerësuar se, ndryshe nga protestat e mëhershme të organizuara nga opozita, kjo lëvizje po gjen mbështetje të gjerë tek të rinjtë dhe po krijon një frymë të re në vend.
Megjithatë, ai paralajmëron se rreziku më i madh për suksesin e protestës mbetet përçarja e brendshme.
Ai ka shtuar se elementë të ndryshëm mund të tentojnë ta dëmtojnë protestën përmes përçarjes dhe etiketimeve ekstreme ndaj pjesëmarrësve.
“Kam dëgjuar shpesh që t’u thuhet aktivistëve sikur ata janë spiunë, provokatorë etj. Është e natyrshme të ketë të tillë. Në një vend ku mafia qarkullon miliarda dollarë në muaj, natyrshëm që paguhen edhe spiunë, edhe provokatorë. Por spiunët kanë lindur që kur ka lindur njerëzimi dhe asnjë shoqëri në botë nuk ka mundur t’i eliminojë ata. Përkundrazi, shoqëritë i kanë pranuar dhe kanë bashkëjetuar me spiunët. Vetë fryma e protestës i bën ata të heshtin e të mos guxojnë të sabotojnë”, ka deklaruar ai.
Duke sjellë shembullin e Kosovës në vitet ’90, Bytyçi argumenton se lidershipi dhe fryma qytetare janë mënyra më e mirë për të neutralizuar ndikimet negative.
ë fund, Bytyçi është shprehur optimist për suksesin e protestave, nëse ato arrijnë të shmangin përçarjet dhe rivalitetet e brendshme.
“Nëse kalohen këto dy pengesa të momentit, protesta në Shqipëri do të jetë shumë e suksesshme dhe do ta parandalojë rënien e lirë të Shqipërisë në duart e mafies. Projektet që kundërshtohen janë projekte të mafies ndërkombëtare. Ato mund të sjellin të ardhura, por jo për qytetarët e Shqipërisë. Ato mund ta zbukurojnë Vlorën, por edhe mund ta rrezikojnë Shqipërinë, sepse në një projekt ku ka spitale e shkolla, do të thotë se do të krijohet vendbanim dhe ato apartamente i blejnë vetëm ata që kanë paratë e veprimtarisë mafioze”, ka thënë ai.
“Pavarësisht kësaj, duket se njerëzit besojnë se kësaj radhe do t’ia dalin për ta rrëzuar pushtetin kriminal e mafioz në Shqipëri”, ka përfunduar Bytyçi.



Të tjera
Bota sytë nga Zvicra, SHBA dhe Irani nisin negociatat vendimtare
“Superpuna për Gratë”, kryeminsitri njofton skemën e re për punësimin e grave
Përse molisemi pas pushimeve verore?