Sipas raportimeve të fundit, Ralf Rangnicku është lodhur duke pritur një përgjigje nga Milani dhe po bëhet gjithnjë e më pak e mundshme që ai të bashkohet me “Rossonerët” si drejtor teknik.
Rangnicku aktualisht është trajner i kombëtares së Austrisë dhe po përgatit skuadrën për ndeshjen kundër Jordanisë në San Francisco në orët e para të së mërkurës, në ndeshjen e tyre të parë në Kupën e Botës 2026.
Ndërkohë, situata te Milani është kaotike, pasi klubi mbetet pa trajner, pa drejtor sportiv, pa drejtor teknik dhe pa CEO, pas vendimit për të shkarkuar Massimiliano Allegrin, Igli Taren, Geoffrey Moncada dhe Giorgio Furlanin menjëherë pas përfundimit të sezonit 2025/26.
Rënia dramatike e Milanit nga vendi i dytë në të pestin në javët e fundit të sezonit – duke humbur kualifikimin në Ligën e Kampionëve – është arsyeja kryesore e këtij ndryshimi të madh në drejtim.
Edhe pse palët kanë zhvilluar disa takime dhe Milan i ka ofruar Rangnickut rolin e drejtorit teknik, gjermani ka kërkuar kontroll të plotë mbi sektorin sportiv, përfshirë edhe strukturën e skautingut dhe emërimet e stafit të tij.
Sipas “La Gazzetta dello Sport” dhe mediave të tjera italiane, pronari i klubit Gerry Cardinale dhe këshilltari Zlatan Ibrahimović ende nuk kanë pranuar kushtet e tij, gjë që ka bërë që Rangnick të zhgënjehet dhe të jetë pranë tërheqjes nga negociatat.
Në të njëjtën kohë, Federata e Futbollit të Austrisë po përpiqet ta bindë atë të zgjasë kontratën si trajner i kombëtares, një opsion që tani duket gjithnjë e më i mundshëm për të.
Disa media në Itali raportojnë se Rangnicku pritet t’i komunikojë vendimin Milanit brenda pak orësh, ndërsa të tjerë thonë se klubi tashmë është i informuar për largimin e tij nga tryeza e negociatave.



Të tjera
Si t’i palosni bluzat për 5 sekonda?
Dita e 13-të e protestës, ‘Shqiptaria e shqiptarëve’ jehon për Zvërnecin
Qeveria në detyrë mban mbledhjen e radhës, merr një sërë vendimesh e ndanë mjete buxhetore