Krerët e vendit kanë filluar aktivitetet shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Pas ngritjes së Flamurit të Republikës së Kosovës, ata thanë se pavarësia e Republikës së Kosovës u arrit me sakrifica të mëdha.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se në radhë të parë mblidhemi për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshën e pjekurisë, dhe në të njëjtën kohë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin.
Ajo theksoi se sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore. “Shprehim respektin më të thellë për rrugën, vizionin dhe kontributin e presidentit tonë historik, Atit të Pavarësisë dhe arkitektit të saj, doktor Ibrahim Rugova. Për sakrificën e familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Për mijëra dëshmorë e heronj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se sot kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë që ne e gëzojmë, pra dëshmorët e kombit dhe martirët.
“Po ashtu, sot nderojmë edhe figurat e larta që kontribuan, në rrethana dhe periudha të ndryshme, për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Pavarësinë e nderojmë duke punuar me institucione funksionale, që veprojnë me integritet dhe profesionalizëm”, tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova po rritet. Ai theksoi se gjatë viteve të pavarësisë është rritur numri i njohjeve të shtetësisë, është zhvilluar ekonomia e vendit, është rritur mirëqenia e qytetarëve dhe është forcuar fuqia e shtetit.
Sipas tij, para tetëmbëdhjetë vjetësh lindi pavarësia e Republikës së Kosovës, e cila u arrit falë shumë brezave veprimtarësh, ndër breza të panumërt të popullit tonë, që kontribuuan dhe u sakrifikuan që ne sot të jemi të lirë e të pavarur, me një shtet demokratik dhe sovran.
“Sot festojmë, por njëkohësisht nderojmë edhe rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai..jpg)



Të tjera
Gjermania riafirmon mbështetjen për Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë
Historia e Kosovës s’mund të shkruhet e kuptohet pa emrat e ish-krerëve të UÇK-së
FSHF uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës