Legjenda braziliane Ronaldinho ka befasuar botën e futbollit duke nënshkruar me klubin italian të Serie C, Ravenna, duke lënë të hapur mundësinë e një rikthimi të papritur në fushë, pavarësisht se ishte tërhequr nga futbolli profesionist.
Sipas raportimeve të mediave italiane, 46-vjeçari pritet të prezantohet në një event special në Miami më 23 qershor, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse ai do të zbresë realisht në fushë gjatë sezonit të ardhshëm.
Në një deklaratë të tij, Ronaldinho u shpreh entuziast për këtë hap të ri, duke thënë se dëshiron të “rikthejë magjinë dhe gëzimin e futbollit” dhe të shkruajë një kapitull të ri në karrierën e tij.
“Ngjyra të reja, e njëjta buzëqeshje. Mezi pres të vallëzoj sërish me topin”, është shprehur ai, duke shtuar se futbolli gjithmonë ka qenë burim gëzimi dhe frymëzimi për të.
Pronari i klubit, Ignazio Cipriani, e ka cilësuar afrimin e Ronaldinhos si një moment historik për Ravenna-n, duke theksuar se ndikimi i tij shkon përtej sportit dhe mund të frymëzojë një brez të ri tifozësh.
Klubi italian ka qenë më parë shtëpi e disa emrave të njohur të futbollit italian, ndërsa me ardhjen e Ronaldinhos, vëmendja ndaj projektit të tij sportiv pritet të rritet ndjeshëm.



Të tjera
Zbulohet ilaçi i ri injektues që i jep fund vuajtjes nga migrena
Shekerinska: Angazhimi i NATO-s për Kosovën mbetet i palëkundur
Formacionet zyrtare: Gjermania – Bregu i Fildishtë