​Rritja e energjisë elektrike godet bizneset, paralajmëron falimentime masive

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar krizën e afërt të biznesit në vend, si pasojë e çmimeve të reja të energjisë elektrike, pasi bizneset që kanë marrë ofertat e para nga furnizuesit e licencuar për daljen në tregun e lirë të energjisë, po përballen me çmime deri në 200 për qind më të larta se sa ato që paguanin deri më tani.

Rafuna në një konferencë për media, paralajmëroi për rritje të inflacionit.

Ai kërkoi pezullimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë dhe shtyrjen për të paktën një vit të daljes së bizneseve me mbi 50 punëtorë në tregun e lirë.

Rafuna: Ofertat e para që kanë marrë bizneset janë 200 % më shtrenjtë

Rafuna: Prodhimi i Kosovës është duke rënë

“Duhet parasysh edhe prodhimin. Të dhënat po na tregojnë se prodhimi i Kosovës është duke rënë. Sot, kur ende nuk kanë dalë në tregun e lirë, është duke rënë. Tregu nuk është i mirë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregun e BE-së. Shqetësuese është se inflacioni është duke u rritur dhe do t’i godasë qytetarët e Kosovës. Edhe pse në vitin 2024 e kemi mbyllur me 1.6 për qind, menjëherë për katër muaj, inflacioni ka filluar me tendencë rritjeje. Dhe do të shkojë duke u rritur edhe më shumë nëse do të vazhdohet me këtë kërkesë për të dalë në tregun e lirë dhe për të shkuar me çmimin e rritjes së energjisë për pagesë”, ka nënvizuar Rafuna.

Sipas tij, me këtë çmim të energjisë elektrike nuk do të ketë investitorë.

Rafuna: Të themelohen institucionet dhe të ndërmarrin hapat për të shpëtuar biznesin

Video:“Kur jemi te bilanci tregtar i mallrave, këto janë të dhëna zyrtare që janë shumë shqetësuese për të gjitha institucionet e vendit tonë dhe për të gjitha partitë politike që janë prezent në Kuvend. Kërkojmë që sa më shpejt të themelohen institucionet që të ndërmarrin hapat për të shpëtuar biznesin, ta shpëtojmë ekonominë e vendit tonë. Shikoni se me çfarë trendi është duke u rritur importi, kurse eksporti është duke na rënë. Importi e ka kaluar vlerën për katër muaj mbi 2 miliardë, ndërsa eksporti ka rënë në 275 milionë. Për këta 4 muaj, bilanci është thelluar mbi 18.83 për qind, afërsisht 19 për qind, dhe kjo është shumë shqetësuese, sepse prodhimi jonë është duke humbur. Territorin e prodhimit tonë është duke e marrë importi dhe janë duke na shfrytëzuar të gjitha vendet e rajonit dhe të BE-së dhe më gjerë, ku po importojmë. Me këtë çmim të energjisë elektrike nuk do të ketë investitorë – as të brendshëm, as të huaj”, ka thënë ai.