Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin Kampionët në TV Klan.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar komentoi paraqitjen e Kombëtares në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024” duke vlerësuar ekipin dhe stafin teknik, ndërsa shtoi se mund të bënim më mirë përsa i përket rezultatit.
“Ka gjëra për të cilat duhet të jemi krenar. Ekipi duhet falënderuar që na çuan atje, jo vetëm ata që ishin në Europian. Paraqitja ishte e mirë, rezultati nuk ishte i mirë. Rezultati do ishte i mirë nëse do ta kalonim grupin. Po të ishim pak më inteligjent do ta kishim kaluar grupin, po të ishim pak më të përgatitur psikologjikisht. Ndeshjen e parë me Italinë pasi shënuam ndoshta ramë në emocion. Goli që në futboll duhet të të lirojë dhe të shkosh përpara, na futi nën presion. Në atë ndeshje mbase duhet të ishim më të përgatitur psikologjikisht. Por në total jam i kënaqur”, – u shpreh Presidenti Duka.
Në lidhje me kualifikimin historik të Gjeorgjisë për rrugëtimin e mëtejshëm në Euro 2024, Presidenti Duka u shprehur i kënaqur dhe tha se skuadra e Gjeorgjisë ka pasur një performancë fantastike.
“Gjeorgjia ka skuadër të mirë dhe unë prisja që do të bënte diçka të mirë sot dhe e bëri. Kam parë rreth 70 minuta, sepse më duhej të udhëtoja për në emision. Vërtetë ajo që më kënaqi tek Gjeorgjia ishte grinta dhe dëshira e forca më te cilën luajti dhe e merituan rezultatin. Më pëlqeu që Gjeorgjia u kualifikua, sepse ka hapa pozitivë prej vitesh. Erdhi me vështirësi në kampionat dhe e meritoi. Të fitosh kundër Portugalisë nuk është e lehtë. Edhe ndeshjet e tjera i ka bërë të mira. Performancë fantastike”, – tha Presidenti Duka.
Përsa i përket Europianit të Shqipërisë, Presidenti Duka tha se ka qenë shumë emocionues dhe shtoi se duhet eksperienca, që të jetë më e lehtë menaxhimi i emocioneve edhe për lojtarët.
“Tani nga 24 skuadra, 8 do të eliminohen. Për mua të 24 janë të nivelit të lartë, përderisa bëhen pjesë e Europianit. Fakti që Gjeorgjia kalon dhe Ukraina nuk kalon me 4 pikë tregon se diferencat nuk janë shumë të mëdha. Qoftë edhe ne, mbase me më shumë zgjuarsi, apo me më pak emocion mund dhe duhet ta kishim kaluar grupin edhe pse ishim në ‘grupin e vdekjes’ siç u etiketua. Nuk do të thotë ndonjë gjë, sepse ato skuadra që ishin në grup me ne u eliminuan janë më pak të forta, apo më të dobëta. Kam përjetuar emocione shkatërruese. Sidomos ndeshjen me Kroacinë kam menduar se nuk do të shkoj deri në minutën e 90, kështu që imagjino ato të tjerët që kanë qenë në fushë. Më shumë emocione se tek ajo ndeshje nuk kam ndjerë asnjëherë në jetën time sepse ishim 1-0, shkonim pranë golit dhe duke e ditur atë teorinë e futbollit që nëse nuk shënon do të pësosh, ajo ma shtonte më shumë ankthin, emocionin dhe faktikisht ndodhi që ata shënuan dy herë. Pastaj ekipi tregoi shumë karakter që e barazoi dhe mund ta përmbyste atë rezultat. Emocioni kryesor ka qenë në atë ndeshje, por Europiani ka shumë emocion dhe prandaj thuhet që duhet eksperiencë. Pikërisht kjo është eksperienca që të menaxhosh emocionet”, – theksoi kreu i qeverisë së futbollit shqiptar.
Më tej, Presidenti Duka tha se në ekipin Kombëtar duhet të injektohet besimi që në çdo ndeshje pavarësisht kundërshtarit ekipi duhet të futet në fushë vetëm për fitore.
“Në disa intervista për mediat italiane, kam thënë që fiton Shqipëria ndaj Italisë dhe të dyja kalojmë grupin. Nuk kam menduar lehtësisht se do të kalojmë grupin. Shumë mirë që keni besuar, sepse keni parë ndeshjen me emocion dhe pritshmëri. Jemi munduar ta injektojmë këtë besim te skuadra ndaj Spanjës. Nuk e injektuam dot, siç kishte bërë Gjeorgjia sot. Ne duhet ta besonim fitoren me Spanjën duke marrë parasysh që ata e kishin realizuar objektivin e tyre. Ekipi jonë nuk arriti ta besojë pavarësisht se u mundua pafund dhe luajti mirë, krijoi shanset e veta por nuk i shfrytëzoi. Tifozeria shqiptare në Gjermani për mua ka qenë 10 me yll sepse jo vetëm se ishte në numër të paimagjinueshëm për një vend kaq të vogël sa Shqipëria, por në të gjitha këndvështrimet. Për dekorin që kanë krijuar, për atmosferën në të tre qytetet që kanë pasur, ka qenë vërtetë fantastike. E bukura e kampionatit që njerëzit në përgjithësi e vlerësojnë me nota pozitive është që ne ishim në garë deri në momentin e fundit. Mund të ishte edhe ndryshe që të shkonim në ndeshjen e fundit për turizëm dhe nuk do të ishte interesante.
Ti mendon se kur të shkojmë në Botëror do themi që do pësojmë 5 gola?! Kur të shkojmë në Botëror, ne prapë do themi që luajmë për fitore. Ky është objektivi. Të gjithë ata që janë rreth kombëtares, duhet të injektojnë besimin për fitore. I pari Presidenti, i dyti trajneri dhe të gjithë ato që janë rreth Kombëtares deri te punëtori i fushës duhet të injektojnë të njëjtën gjë, besimin për fitore. Unë i kam dëgjuar këto përralla gjithmonë. I kam dëgjuar edhe kur thoja që do shkojmë në Europian, por ne u kualifikuam. Të gjithë duhet të besojnë te fitorja, jo vetëm Presidenti. Nuk mund të shkojmë në asnjë garë dhe kompeticion duke thënë që do humbas. Këtë e vlerëson publiku. Futbolli nuk ka fund. Mund të shkosh në finale, humb dhe thua është dështim. Unë këtë e quaj një histori super të suksesit të futbollit, të publikut, të opinionit dhe të gjithëve. Nëse hyn në një betejë për ta humbur kurrë nuk do ta fitosh. Në çdo ndeshje e përsërita që do ta fitojmë. Qëndrimi im para Europianit: ishte duhet të jemi krenar dhe jemi krenar që jemi në Europian. Ne nuk kemi se çfarë të humbim. Kam thënë që do të fitojmë ndaj Italisë dhe do ta them sërish”, – u shpreh Presidenti Duka, i cili vlerësoi edhe lojtarët e ekipit Kombëtar.
“Kjo loja jonë është kaq shumë e bukur edhe për faktin që ju jep të drejtë të gjithëve. Ti ke të drejtë, ai gazetari që kishte bërë kronikën ka të drejtë, çdo njeri ka të drejtë. Sylvinho si trajneri i Shqipërisë ka fat, sepse ka vetëm 10 milion shqiptarë që mendojnë se janë trajnerë. Ai i Brazilit ose një tjetër është më pafat.
Broja? Ai është një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme, me kualitet shumë të mirë sidomos për ekipin tonë se nuk them që është futbollisti më i mirë në Europë apo në Botë, që padyshim do ta ndihmojë akoma më shumë ekipin. Dimë që ka pasur një dëmtim të rëndë, është rikthyer dhe kaq minuta ka menduar trajneri. Nëse do ta kthej ndeshjen e Spanjës të filmuar mendoj që do ta kishte ndihmuar po të kishte minuta më shumë, por nëse do të isha para ndeshjes së Spanjës duke parë se sa mirë luajti Manaj kundër Kroacisë, mbase do të thoja që duhej të luajë Manaj.
Arbër Hoxha? Ai e ka ndihmuar shumë ekipin në të gjitha minutat që ka luajtur dhe asnjë nuk mund ta mendojë. Në ato minuta që ka luajtur ka dhënë aq shumë. Nëse do të luante më shumë minuta a do të ishte aq mirë, apo jo. Këtë nuk e di duhet të ndodhte. Në fakt aq minuta sa ka luajtur ka luajtur shkëlqyer”, – tha Presidenti Duka, i cili shtoi se kontrata me trajnerin Silvinjo ka përfunduar por i është ofruar propozimi i ri.
“Kontrata me trajnerin ka mbaruar pas Europianit. Ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Besoj se tani së shpejti do e finalizojmë. Ne kemi pasur biseda. Secili njeri mendon për veten e tij. Nëse i vjen një shifër marramendëse, edhe mund të shkojë. Kontrata është e përfunduar kur e firmos në letër. Gjasat që të rinovojë, sigurisht që është mbi 50%. Ne bëjmë aq sa mundemi për ta mbajtur, nuk mund të bëjmë më shumë se kaq. Në karrigen time, duhet të mendosh të gjitha gjërat. Dëshira për ta pasur është aq e madhe, sa ia kemi bërë që në janar ofertën për rinovim. Pas kthimit në Shqipëri bëmë një festë të vogël me stafin. Sot Silvinjo iku të pushojë dhe do të rikthehet për të vendosur për të ardhmen. Do vendosim para se të përfundojë Europiani. Do shkojmë ta shikojmë finalen bashkë. Nëse del një klub i La Ligës dhe i jep 5 milionë euro, e ka hallall. Mançini la Italinë për një ofertë të majme”, – tha Presidenti Duka.
Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit zgjodhi Silvinjon si trajnerin më të mirë që ka pasur Kombëtarja dhe pas tij De Biasi-n.
“Nuk do t’i shmangem asnjë pyetjeje. Na erdhi për mirë goli i shpejtë ndaj Italisë se thyem një rekord. Ne mund të kishim menduar shumë gjëra, por të bënim golin për 23 sekonda ndaj Italisë nuk e menduam kurrë. Silvinjos i vë notë kaluese, pozitive, nuk ka kurrë 10 në futboll. I jap 7. Të parin zgjedh Silvinjon. Ka krijuar atmosferë pozitive në një kohë shumë të shkurtër. I dyti është De Biasi, sepse kemi shkuar në Europian me të për herë të parë. Nga pikëpamja taktike, kam respekt të madh për Oto Baric. Zhgënjimi më i madh nga të gjithë trajnerët është Panuçi, pasi tij, Dosena. Goli më i bukur i shënuar nga lojtarët e Kombëtares në Europian është i Bajramit. Lojtari më i mirë i Europianit nga ekipi shqiptar për mua ishte padiskutim Asllani”.
Niveli i arbitrimit? – “Asnjëherë nuk kam diskutuar për arbitrimin, që na mohoi apo na ndihmoi. Por nëse do të analizojë për aq sa mendoj unë dhe kjo nuk është çështje e imja të tre ndeshjet e Europianit, gjykimi në ndeshjen e tretë nuk ishte në nivelin e ndeshjes, ishte poshtë saj”.
Të ardhurat e Europianit? – “Kur humbet nuk ka premio, por padyshim për një ndeshje të barazuar mund të ketë. E thashë tani. Të ardhurat nga Europiani janë 9.25 milionë euro. Ka edhe të ardhura nga barazimi, por shpenzimet e Europianit janë më të mëdha”.
Emocionet më të mëdha në EURO 2016 apo EURO 2024? – “Personalisht kam ndjerë shumë më shumë presion tani dhe ndjen më shumë presion kur vërtetë beson më shumë. Në Euro 2016 isha shumë i lumtur që jemi në Francë, në një lloj mënyre e pabesueshme dhe nuk kisha ndonjë presion për rezultatin. Tani nuk e di pse por kisha shumë presion edhe për rezultatin. Ndeshjen me Italinë ishim nën nivelin tonë dhe nuk morëm atë që meritojmë qoftë edhe në lojë pasi rezultati mund të ishte po ky ndoshta edhe më i thellë. Sidomos në 35 minutat e para pasi shënuam golin nuk u ngjitëm në nivelin tonë, atë që paraqitëm ndaj Kroacisë dhe Spanjës, apo atë që paraqitëm edhe në pjesën e dytë me Italinë. Ajo që unë mendoj që duhet të arrinim është të fitonim ndaj Spanjës. Ashtu siç fitoi edhe Gjeorgjia ndaj Portugalisë që kishte arritur objektivin. Një skuadër që ka arritur objektivin duhet të mendojë më gjatë, për ndeshjen tjetër, gjysmëfinalja dhe finalja. Atë bëri edhe trajneri aktivizoi 10-të futbollistë të tjerë. Këtë ne duhet ta shfrytëzonim me më shumë agresivitet”.
Kush është pretendentë për të fituar Europianin? – “Nga eksperienca e kampionateve të kaluara Europiane apo Botërore shpeshherë ndeshjet e grupeve të gënjejnë. Ne kemi parë që Argjentina ndeshjen e parë e humbi me Arabinë Saudite dhe më pas doli kampion bote. Është e vështirë që të përcaktosh por unë mendoj që dy ekipet më të forta janë Anglia dhe Franca. Unë jam vetëm me Shqipërinë. Tifozeria jonë dhe ajo holandeze ishin më të bukurat në Europian”.
Të tjera
Qeqa Krelani pyet Federatën e Futbollit Shqiptar: FSHF, si po iu duket bashkëpunimi me FFS-në?
Haziri për Hysenin: Jemi të gatshëm ta ndihmojmë që të dalë nga kjo situatë
Jonida Vokshi dhe Alaudin Hamiti, zyrtarisht prezantues të BBVK 3