Sa janë të sigurta mjetet financiare në Trust, pse nuk mund të tërhiqen paratë nga Trusti në rastet kur qytetarët kanë nevojë për çështje shëndetësore – flet eksperti e ekonomisë

Eksperti i çështjeve ekonomike, Emanuel Bajra në një intervistë për emisionin “Përballje” ka folur për Trustin Pensional të Kosovës, sa janë të sigurta mjetet financiare, nevojën për ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional dhe çështjen e shumë përfolur pse nuk mund të tërhiqen mjetet nga Trusti në rastet kur qytetarët kanë nevojë për arsye shëndetësore.

Bajra i cili është edhe kryetar i Bordit në Trustin Pensional, por në cilësinë e ekspertit për çështje ekonomike në intervistën me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com tha se mjetet financiare janë të sigurta.

“Gjithsesi që janë të sigurta… ne gjithë riskun e perceptojmë ndryshe.. nëse e ke fjalën a janë paratë e sigurta ku janë investuar gjithsesi që janë sepse ato edhe po japin kthim. Këtë vit kemi pasur 118 milionë kthim bruto prej 2.7 miliardave. Është besoj arritje e madhe…”, tha ai.

“Janë të sigurta, ka kthim pa marr parasysh lëkundjet që kanë qenë lart e poshtë ne si Trust kemi qenë të pozicionuar në anën pasive të investimeve me një kthim pakëz më të vogël, por solid … humbjet nuk i kemi siç i kanë fondet tjera shumë të mëdha, mbi 3 për qind, 4 e 5 për qind. Ne nuk kemi pasur humbje për një kohë rekorde”, u shpreh eksperti i çështjeve ekonomike.

Bajra tutje theksoi se edhe mënyra dhe strategjia e alokimit është e rëndësishme, pastaj është një bord i ri e me eksperiencë.

Por, pse paret nuk investohen në Kosovë?

Bajra, lidhur me këtë tha se duhet të bëhet më shumë dhe të ndryshohet ligji.

Por, për mua personalisht nuk është i mjaftueshëm…”, tha ai.

Emanuel Bajra, ekspert i çështjeve ekonomike në emisionin “Përballje” /Foto: Ridvan Slivova

Eksperti Bajra foli edhe për rëndësinë e hapjes së tregut të pensioneve, pasi aktualisht janë vetëm dy.

“Vitet e 20, 30 edhe të 40 që pretendojnë të pensionohen mbi moshën 65 vjeçare duhet ta ketë komoditetin e të jetuarit me dinjitet, pa probleme financiare. Sikur në perëndim. Ne duhet të hapim edhe tregun e pensioneve, ne i kemi veç dy. [Të hapet tregu] në mënyrë që njerëzit mu shpërnda, ku donë ata me kontribu, me marr riskun…”, tha ai.

Bajra ka folur edhe për një çështje shumë të rëndësishme dhe që shpeshherë qytetarët janë ankuar se nuk mund t’i marrin mjetet e tyre në Trust as në rastet kur ka të bëjë me shëndetin.

“Unë mendoj se duhet me pas hapësirë që kur të reformohet Ligji me bo diçka në këtë drejtim. Por, në anën tjetër është rrezik i madh për fondet pensionale në përgjithësi, jo vetëm në Kosovë.Ne e patëm eksperiencën e tërheqjes së 10 përqindëshit, ka krijuar një lloj mendësie tjetër”, tha ai.

Bajra theksoi tutje se kjo çështje duhet të adresohet me seriozitet dhe duhet të gjendet një mënyrë.

Sipas tij, ka mekanizma që mund të bëhen dhe është obligim i politikanëve të merren me këtë.

“Nëse isha pyetur unë si njohës i çështjes ka hapësirë që mu kriju mundësi…së pari njerëzit me kuptu pse kursejnë në fonde pensionale… Për kontributdhënësit është pension, është masë e akumulimit të kursimeve jetësore për pleqëri…”, tha ai.

Bajra ka folur edhe për depozitat në banka. Ai po ashtu foli për Fondin Sovran dhe Tregun e Kapitaleve.

Pjesën ku Bajra flet për të gjitha këto çështje mund ta shikoni nga minuta e 18-të. /Telegrafi/