Safet Gërxhaliu: Me investimet direkte nga BE, SHBA dhe Kina “Serbia e madhe ekonomike” po bëhet realitet!

Se nuk ka aleanca strategjike por vetëm alenca të interesit dëshmon Ballkani Perëndimor. Një analizë e thjesht e indikatorëve ekonomikë për vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2023 tregon se Serbia ka një peshë të frikshme ekonomike në rajon. Me një Produkt të Brendshëm Bruto (GDP) prej 70 miliardë eurosh, Investime të Huaja Direkte (IHD) prej 3.8 miliardë eurosh dhe eksporte që arrijnë 28.6 miliardë euro, Serbia i tejkalon ndjeshëm pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën. Në këtë analizë të ndikimit ekonomik, është e qartë se kjo epërsi i jep Serbisë një ndikim të madh ekonomik që mund të jetë më e rrezikshme dhe më me ndikim afatgjatë sesa ndikimet politike. Ky ‘hegjemonizëm ekonomik’ rrezikon të thellojë varësinë ekonomike të shteteve të tjera në rajon, duke ulur kështu pavarësinë e tyre ekonomike dhe mundësitë për zhvillim të pavarur dhe duke bërë Serbinë faktor të pa kotestueshëm edhe për çdo iniciativë që vije nga institucionet apo vendet Evropiane. GDP-ja e Serbisë është më shumë se trefishi i secilit prej shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë. Së bashku, GDP-ja e pesë vendeve të tjera arrin në 69.8 miliardë euro, që përafërsisht është e barabartë me GDP-në e Serbisë. Kjo epërsi e madhe në GDP tregon fuqinë ekonomike të Serbisë, duke e bërë atë jo vetëm një qendër të rëndësishme në rajon, por edhe një qendër potencialisht kontrolluese që mund të diktojë termat e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe ndërkombëtar. Për sa i përket IHD-ve, Serbia tërheq më shumë se dy herë shumën e pesë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku (4.65 miliardë euro për të gjitha vendet krahasuar me 3.8 miliardë euro për Serbinë). Ky fakt rrit gravitetin ekonomik të Serbisë, duke e vendosur atë në një pozicion ku mund të kontrollojë dhe ndikojë në tregjet dhe kapitalet rajonale, duke kufizuar mundësitë e investimeve për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Eksportet e Serbisë janë më të larta se dyfishi i eksporteve të Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut së bashku, që janë vendet të dytë dhe të tretë me eksportet më të larta në rajon. Totali i eksporteve të pesë vendeve të tjera arrin në 22.84 miliardë euro, duke qenë shumë më i ulët se eksportet e Serbisë. Epërsia e lartë e eksporteve i jep Serbisë një avantazh të madh në kontrollimin e tregut rajonal dhe në ndikimin e fuqishëm mbi partnerët tregtarë në rajon.Kjo rritje e fuqisë ekonomike të Serbisë përmes këtyre treguesve kryesorë të GDP-së, IHD-ve dhe eksporteve, krijon një efekt të fuqishëm ‘Serbie të madhe ekonomike.’ Ndryshe nga një ndikim i pastër politik, ky ndikim ekonomik është më i qëndrueshëm, më i shpërndarë dhe potencialisht më i vështirë për t’u balancuar nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Një Serbi e fuqishme ekonomikisht mund të krijojë një varësi ekonomike të thellë të vendeve përreth saj, duke ndikuar vendimet ekonomike dhe politike të këtyre vendeve dhe duke kontrolluar rrjedhat e kapitalit dhe tregjeve rajonale. Kjo epërsi, nëse nuk balancohet me përpjekje të përbashkëta rajonale, mund të sjellë një realitet ku ‘Serbia e madhe ekonomike’ bëhet një sfidë më e madhe për stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor sesa një ‘Serbi e madhe politike.’Të mos harrohet qëllimi i Samiti të BRICS-it 2024.Burimi: Bankat Qendrore të vendeve përkatëse