Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi të martën se ka goditur një fushatë propagandistike ruse në internet, të mbështetur nga Kremlini, e cila përhapte dezinformata në Shtetet e Bashkuara duke përdorur inteligjencën artificiale. Drejtësia amerikane tha se ka bllokuar rreth 1000 llogari false që përhapnin dezinformata në rrjetet sociale.
Zyrtarët thanë se operacioni rus është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për të nxitur mosmarrëveshje në Shtetet e Bashkuara përmes krijimit të profileve false në rrjetet sociale që të japin përshtypjen e individëve legjitimë, por që në fakt ishin krijuar për të çuar përpara synimet e qeverisë ruse, përfshirë përhapjen e dezinformatave rreth agresionit rus në Ukrainë.
Zyrtarët amerikanë thanë se skema u organizua në vitin 2022 nga një redaktor i rrjetit mediatik shtetëror rus “Russia Today” që është regjistruar në Departamentin e Drejtësisë si agjent i huaj. Përpjeka ruse u mbështet financiarisht nga Kremlini, me një oficer të FSB-së ruse që drejtonte një organizatë private zbulimi për të përhapur dezinformata përmes rrjeteve sociale. Rrjeti “Russia Today” nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Goditja ndaj asaj që njihet si “fermë robotike në rrjetet sociale” në zhargonin kibernetik, vjen ndërsa zyrtarët amerikanë kanë ngritur alarmin lidhur me mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale për të ndikuar në zgjedhjet amerikane dhe shqetësimeve të vazhdueshme se fushatat e huaja mund të manipulojnë opinionin e disa votuesve.
“Veprimet e sotme janë goditja e parë ndaj një fushate të sponsorizuar nga Rusia që përdorte inteligjencën artificiale në rrjetet sociale”, tha përmes një deklarate drejtori i FBI-së, Christopher Wray. “Rusia synonte ta përdorte këtë taktikë për të shpërndarë dezinformata të huaja të krijuara përmes inteligjencës artificiale, duke përshkallëzuar veprimet e tyre me ndihmën e inteligjencës artificiale për të goditur partnerët tanë në Ukrainë dhe për të ndikuar tek prirjet gjeopolitike në favor të qeverisë ruse.”
Byroja Federale e Hetimeve dhe Forca e Misionit Kombëtar Kibernetik bashkëpunuan me Qendrën për Sigurinë Kibernetike të Kanadasë dhe organet e rendit në Holandë lidhur me ‘fermat robotike’ në platformat e mediave sociale.
Të tjera
Në arrati prej 2 muajsh, motrat Berisha strehohen në Dubai, si u larguan nga vendi bashkë me djalin e mitur
“Ju thash’ vllazni, e bash qata m’vranë…”, Bardhi rrëfen vështirësitë ekonomike në këngën e re
Kosova krah Izraelit, mesazh i fuqishëm për Brukselin: Serbia nuk mund të…