Screenshot 3 67 E1719218830895 780x439

Si u nxor nga konteksti fjalia ku Edi Rama e përmendi SHBA-në si “një nga tri të këqijat e botës”?

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale pretendon se tregon kryeministrin Edi Rama duke etiketuar SHBA-në, Bashkimin Sovjetik dhe Izraelin si tri “të këqijat” e botës.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, kryeministri Edi Rama njihet për fjalët e tij të drejtpërdrejta dhe komentet e tij shpesh shërbejnë si “ushqim” për titujt dhe postimet në rrjetet sociale.

Dhe së fundmi kanë dalë pretendime të reja se ai e përshkroi SHBA-në si “të ligë” dhe “djall”, megjithatë fjalët e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit, thekson shkrimi i Euronews.

Bëhet fjalë për një postim në X (ish-Twitter) që pretendon se shfaq një video në të cilën Rama flet për “tri të këqijat kryesore të botës”.

Ajo video thuhet se është parë mbi 4 milionë herë dhe është pëlqyer dhe rishpërndarë mijëra herë, gjithashtu.

Videoja fillon me Ramën duke përshkruar “tre djajtë e mëdhenj”: Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Sovjetik dhe Izraelin.

Në postim theksohet se video është veçanërisht e habitshme për shkak se Rama i bën komentet teksa i drejtohet Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Dhe siç vë në pah shkrimi i Euronews, kryeministri i Shqipërisë i tha vërtet të gjitha këto, por postimi në X përmban një video të prerë që i ka nxjerrë fjalët e tij jashtë kontekstit.

Ai në fakt i bëri komentet duke folur për pikëpamjen e Shqipërisë për çështjet botërore gjatë epokës së saj të diktaturës komuniste.

Fjalimi vjen nga një konferencë për shtyp e mbajtur nga Rama dhe Blinken në Tiranë, Shqipëri, në shkurt, të cilën mund ta gjeni në kanalin zyrtar të Departamentit të Shtetit në YouTube.

Dhe deklaratat në fjalë u bënë nga fundi i konferencës kur dyshja po u përgjigjen gazetarëve.

Një gazetar thekson se Shqipëria e njohu Palestinën në vitin 1988 përpara se të pyeste Ramën nëse ai mendon se një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës është ende e mundur.

Rama kujton se kur Shqipëria ishte një diktaturë komuniste, lideri i vendit Enver Hoxha ishte një nga “miqtë dhe aleatët më të afërt” të Organizatës për Çlirimin e Palestinës.

Ndërsa siç kujton Euronews, në atë kohë, vendi ballkanik u cilësua shpesh si “Koreja e Veriut e Evropës” për politikën e tij të rreptë izolacioniste dhe kundërthënëse.

Rama tha në konferencën për shtyp se në atë kohë, regjimi shqiptar ishte gjithashtu “me shumë egërsi kundër tre djajve të mëdhenj” përpara se të listonte SHBA-në, Bashkimin Sovjetik dhe Izraelin.

Por më pas ai përshkroi se si Shqipëria i priste dhe mbronte hebrenjtë që iknin nga Gjermania naziste.