S’ka gjykim në mungesë dhe s’ka masa, BE-ja flet për proces ndaj Radoiçiqit në Serbi

Vendimi që përjashton gjykimin në mungesë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 41 të akuzuarave tjerë në arrati në rastin Banjska, kufizon procesin e llogaridhënies për sulmin terrorist vetëm tek tre të arrestuarit.

Për vendosjen eventuale të masave ndaj Radoiçiqit dhe të tjerëve ose ndaj Serbisë, Bashkimi Evropian fillimisht kishte kërkuar raportin nga hetimi i plotë, pastaj aktakuzën, e më vonë verdiktin e gjykatës.

Por, në rrethanat aktuale, ku përkundër flet-rreshtimeve ndërkombëtare, Serbia refuzon të arrestojë dhe ekstradojë në Kosovë, Radoiçiqin dhe të tjerët, një vendim gjithëpërfshirës përfundimtar nga Gjykata në Prishtinë duket i pamundur.

Duke shmangur pjesën e ekstradimit, gjykimit në Kosovë dhe masave eventuale, BE-ja pati një thirrje për Serbinë teksa përmendi një proces atje.

Pa hollësi ishte edhe pjesa tjetër e përgjigjes, për fletarrestin  e lëshuar kundër Radojçiqit dhe 19 të tjerëve, në një rast të ndarë ku dyshohen për krime lufte në rajonin e Gjakovës.

“Dhënia llogari për krimet e luftës dhe gjykimi i krimeve të luftës nga një gjyqësor i pavarur janë hapa thelbësor drejt pajtimit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, dhe në rrugën për në Bashkimin Evropian. Ne e marrim parasysh këtë vendim dhe përmbahemi nga komentet e mëtejme në vendime gjyqësore”.

Në Ministrinë e Drejtësisë nuk komentuan qëndrimin e BE-së për proces gjyqësor në Serbi, e as nuk treguan nëse ka risi lidhur me kërkesën për ekstradim.

Pasi vënien e drejtësisë në këtë rast e vlerësoi sfiduese për shkak të qëndrimit të Serbisë dhe dyshimeve për përfshirjen e këtij shteti në sulmin terrorist, juristi Ardian Bajraktari tha se qasja e BE-së është “tentativë për të qenë e balancuar”.

Pak ditë pas sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, Milan Radoiçiq, atëkohë nënkryetar i Listës Serbe, kishte pranuar publikisht se ka organizuar dhe udhëhequr atë.

Derisa nuk ka asnjë masë nga BE-ja, ai dhe të akuzuarit tjerë mbesin të mbrojtur në Serbi.