Vendimi që përjashton gjykimin në mungesë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 41 të akuzuarave tjerë në arrati në rastin Banjska, kufizon procesin e llogaridhënies për sulmin terrorist vetëm tek tre të arrestuarit.
Për vendosjen eventuale të masave ndaj Radoiçiqit dhe të tjerëve ose ndaj Serbisë, Bashkimi Evropian fillimisht kishte kërkuar raportin nga hetimi i plotë, pastaj aktakuzën, e më vonë verdiktin e gjykatës.
Por, në rrethanat aktuale, ku përkundër flet-rreshtimeve ndërkombëtare, Serbia refuzon të arrestojë dhe ekstradojë në Kosovë, Radoiçiqin dhe të tjerët, një vendim gjithëpërfshirës përfundimtar nga Gjykata në Prishtinë duket i pamundur.
Duke shmangur pjesën e ekstradimit, gjykimit në Kosovë dhe masave eventuale, BE-ja pati një thirrje për Serbinë teksa përmendi një proces atje.
Pa hollësi ishte edhe pjesa tjetër e përgjigjes, për fletarrestin e lëshuar kundër Radojçiqit dhe 19 të tjerëve, në një rast të ndarë ku dyshohen për krime lufte në rajonin e Gjakovës.
“Dhënia llogari për krimet e luftës dhe gjykimi i krimeve të luftës nga një gjyqësor i pavarur janë hapa thelbësor drejt pajtimit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, dhe në rrugën për në Bashkimin Evropian. Ne e marrim parasysh këtë vendim dhe përmbahemi nga komentet e mëtejme në vendime gjyqësore”.
Në Ministrinë e Drejtësisë nuk komentuan qëndrimin e BE-së për proces gjyqësor në Serbi, e as nuk treguan nëse ka risi lidhur me kërkesën për ekstradim.
Pasi vënien e drejtësisë në këtë rast e vlerësoi sfiduese për shkak të qëndrimit të Serbisë dhe dyshimeve për përfshirjen e këtij shteti në sulmin terrorist, juristi Ardian Bajraktari tha se qasja e BE-së është “tentativë për të qenë e balancuar”.
Pak ditë pas sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, Milan Radoiçiq, atëkohë nënkryetar i Listës Serbe, kishte pranuar publikisht se ka organizuar dhe udhëhequr atë.
Derisa nuk ka asnjë masë nga BE-ja, ai dhe të akuzuarit tjerë mbesin të mbrojtur në Serbi.



Të tjera
Moti ekstrem mbretëron në Evropë, Franca njofton për mbi 1000 viktima
Aksidént mes tri veturave, shtatë të lëndúar në fshatin Rogovë
Java nis me vapë deri në 38°C, nga mesi pritet freskim i motit me reshje dhe stuhi lokale