Sllovenia iu bashkua Spanjës në thirrjen drejtuar Bashkimit Evropian (BE) për të mbrojtur pavarësinë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe OKB-së, si dhe përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund gjenocidit izraelit në Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga qeveria sllovene, e lëshuar në rrjetin social amerikan X, kryeministri slloven, Robert Golob, shprehu mbështetje të fuqishme për apelin e kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, që Evropa të ndërmarrë veprime.
“Përgjigjja e Evropës deri më tani nuk është përputhur me seriozitetin e situatës. Duhet të veprojmë tani sepse vlerat themelore evropiane nuk mund të kenë çmim. Pavarësia e gjykatave ndërkombëtare është e panegociueshme” tha Golob.
Deklarata paralajmëroi gjithashtu kundër kërcënimeve që synojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit.
Më herët, Sanchez i bëri thirrje Komisionit Evropian të aktivizojë Statutin Bllokues “me qëllim mbrojtjen e pavarësisë së GJNP-së dhe OKB-së, si dhe veprimeve të tyre për t’i dhënë fund gjenocidit në Gaza”.
“Spanja nuk po e kthen kokën anash. Vendosja e sanksioneve ndaj atyre që mbrojnë drejtësinë ndërkombëtare vë në rrezik të gjithë sistemin e të drejtave të njeriut. BE-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë këtij persekutimi”, shkroi Sanchez në X.
Statuti Bllokues është legjislacion i BE-së që ua ndalon kompanive evropiane të zbatojnë sanksione amerikane të vendosura jashtë juridiksionit amerikan.
Vitin e kaluar, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, përfshirë masa që synonin gjyqtarët e saj, lidhur me rastet që kanë të bëjnë me Izraelin.



Të tjera
Skuadra italiane shumë afër transferimit të Albion Rrahmanit
Incidenti në Magurë, Daut Haradinaj viziton veteranin Bekim Metajn
Rudolph rikonfirmon mbështetjen gjermane për sistemin e drejtësisë