Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim që të hudhet poshtë kërkesa e Haxhi Shalës për rishikim të vendimit, me të cilin i vazhdohej paraburgimi.
Kjo është bërë e ditur përmes konferencës javore nga zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Më 19 shtator, kryetarja Ekaterina Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën e Haxhi Shalës për rishikim të vendimit të Gjykatës Supreme, në të cilin u hodh poshtë kërkesa e z. Shala për mbrojtjen e ligjshmërisë në lidhje me vazhdimin e paraburgimit të tij”, tha Griep.
Zëdhënësja tha se Paneli i Supremes ka konstatuar se nuk kishte shkelje të konsiderueshme të procedurës nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili fillimisht e vazhdoi paraburgimin e as nga Paneli i Apelit, i cili e konfirmoi atë vendim.
“Paneli i Gjykatës Supreme konstatoi se nuk kishte shkelje të konsiderueshme të procedurës nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili fillimisht urdhëroi vazhdimin e paraburgimit, ose nga Paneli i Apelit i cili e konfirmoi vendimin. Duke qenë se z. Shala kërkon rishikim të vendimit të mëparshëm, kryetarja (Trendafilova) caktoi të njëjtit gjykatës: Ekaterina Trendafilova, Kristinë van de Vajngart dhe Daniel Fransen”, tha ajo.
Ajo tha se në këtë çështje gjyqësore, gjykimi pritet të fillojë më 11 nëntor, ndërsa dëshmitari i parë pritet të dëgjohet në mes datave 11 dhe 15 nëntor 2024.
Griep gjithashtu njoftoi se datat për seancat përgatitore në këtë rast janë caktuar nga 7 deri 9 tetor, kurse datat 10 dhe 11 janë ditë rezervë në rast që nevojitet kohë shtesë.
Ajo tha s trupi gjykues urdhëroi Prokurorinë dhe Njësinë për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve të japin informacion të përditësuar në lidhje me sigurinë e dëshmitarëve dhe çështjeve lidhur me ta.
“Trupi gjykues urdhëroi gjithashtu palët të dorëzojnë çdo parashtrim relevant para konferencave përgatitore, për shembull lidhur me statusin e hetimeve ose dëshmitarë të cilët synojnë të thërrasin. Trupi gjykues bëri të ditur gjithashtu se seancat gjyqësore do t’i caktojë në një mënyrë që shfrytëzon plotësisht kohën në dispozicion në sallë të gjyqit dhe kërkoi nga mbrojtja të bëjë të gjitha organizimet e nevojshme për të qenë të dispozicion të paraqiten gjatë seancave të caktuara. Trupi gjykues urdhëroi palët të japin arsyet për çdo parashtrim konfidencial dhe të bëjnë të ditur kur ato të mund të riklasifikohen”, tha ajo.
Kurse, në çështjen ndaj Pjetër Shalës, Griep tha se Paneli i Apelit ka miratuar pjesërisht kërkesën e ZPS-së dhe urdhëroi të akuzuarin që të dorëzonte versionin e ndryshuar të njoftimit të tij për apel, por të mos tejkalonte 3 mijë e 200 fjalë. Ndërsa, versioni i redaktuar i aktgjykimit të Themelores në këtë rast, është bërë publik më 24 shtator 2024.
Gjithashtu, zëdhënësja e DhSK-së tregoi edhe për zhvillimet në rastin e Salih Mustafes, duke shtuar se Paneli i Kushtetueses i cili ishte përzgjedhur nga kryetarja e DhSK-së ka vendosur që të hudhë poshtë kërkesën e përbashkët të ZPS-së dhe mbrojtjes që të shtyjë afatin për kërkesat e tyre referuese në lidhje me kundërshtime të mundshme të vendimit të Supremes, i cili pasoi me vendimin e Apelit për uljen e dënimit ndaj Mustafës.
Në anën tjetër, tek rasti i ish-krerëve të UÇK-së, Griep tha se më 19 shtator 2024, është miratuar kërkesa e Prokurorisë për të pranuar si prova tri deklarata të dëshmitarëve dhe provat materiale shoqëruese të tyre pasi ato të jenë paraqitur në gjykatë.
Ajo tutje tha më 20 shtator, trupi gjykues në këtë çështje ka miratuar dy kërkesa të ZPS-së që dy dëshmitarë të dëshmojnë përmes video-lidhjes për shkak të rrethanave të tyre personale.
Griep njoftoi se gjatë kësaj jave kanë dhënë dëshmi tre dëshmitarë në këtë rast, e që dy prej tyre ishin me masa mbrojtëse ndërsa tjetri ishte Demush Krasniqi.
Këta tre dëshmitarë sipas saj e çuan në 91 numrin e dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani në këtë rast gjyqësor, si dhe dëshmitari i radhës pritet të dëgjohet në seancën e caktuar për 30 shtator 2024.
Griep gjithashtu njoftoi se është hedhur poshtë edhe kërkesa e Isni Kilajt për t’i ndryshuar përkohësisht kushtet e lirimit të tij në mënyrë që ai të udhëtojë për një pushim të shkurtër për në Shqipëri.
Zëdhënësja e DhSK-së tregoi edhe për zhvillimet në rastin e Salih Mustafës, duke shtuar se Paneli i Kushtetueses i cili ishte përzgjedhur nga kryetarja e DhSK-së, ka vendosur që të hudhë poshtë kërkesën e përbashkët të ZPS-së dhe mbrojtjes që të shtyjë afatin për kërkesat e tyre referuese në lidhje me kundërshtime të mundshme të vendimit të Supremes, i cili dënim u ul nga Apeli.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Të tjera
Steinbaum: Krijimi i Asociacionit nga qeveria e Kosovës bie ndesh me Kushtetutën
E rëndë në Bellopojë të Istogut, një person humb jetën pas lëndimeve që i mori nga makina bujqësore
Foda: Kundër Qipros do të luajmë sikur kundër Lituanisë