Fëmijët e diagnostikuar me Çrregullimin e Deficitit të Vëmendjes dhe Hiperaktivitetit (ADHD) kanë më pak gjasa të rriten në një mjedis prindëror pozitiv dhe mbështetës, ndërsa janë më të ekspozuar ndaj disiplinës së ashpër krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre, sipas një analize të re ndërkombëtare.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Child and Adolescent Psychiatry”, zbulon se prindërit e fëmijëve me ADHD shfaqin më shpesh sjellje armiqësore, konflikte familjare dhe, në disa raste, edhe praktika abuzive të prindërimit.
Në të njëjtën kohë, këta prindër kanë më pak gjasa të ofrojnë ngrohtësi emocionale, inkurajim, strukturë dhe kufij të qartë për fëmijët e tyre.
Hulumtimi përfshiu analizën e 62 studimeve të realizuara në 19 vende të ndryshme, me pjesëmarrjen e më shumë se 13 mijë fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës nga 2 deri në 18 vjeç. Prej tyre, 6.543 ishin të diagnostikuar me ADHD, raportoi “Female First”.
Sipas rezultateve, prindërit e fëmijëve me këtë çrregullim kanë më shumë gjasa të adoptojnë një stil autoritar të prindërimit, i karakterizuar nga disiplinë e rreptë dhe kërkesë e lartë për bindje.
Ekspertët theksojnë se prindërimi autoritativ – i cili kombinon ngrohtësinë emocionale, kufijtë e qartë dhe udhëzimin e qëndrueshëm – mbetet qasja që lidhet më fort me rezultate pozitive për fëmijët me ADHD.
Sipas autorëve të studimit, vetëm mbështetja emocionale nuk mjafton nëse mungojnë struktura dhe rregullat e qarta, pasi fëmijët me ADHD shpesh përballen me sfida në vetërregullimin e sjelljes.
Nga ana tjetër, zbatimi i rregullave në mënyrë të ngurtë dhe pa ndjeshmëri emocionale mund të çojë në më shumë konflikte familjare, ulje të sigurisë emocionale dhe përkeqësim të simptomave të ADHD-së.
Studimi zbuloi gjithashtu se kujdestarët e fëmijëve me ADHD kanë më pak gjasa t’i inkurajojnë ata të jenë të pavarur ose të shprehin hapur mendimet dhe emocionet e tyre.
Autorët nënvizojnë se sjelljet prindërore nuk zhvillohen në izolim dhe ndikohen nga faktorë të shumtë, përfshirë simptomat e fëmijës, shëndetin mendor të prindërve, kushtet socio-ekonomike, niveli i arsimimit dhe përvojat e tyre gjatë fëmijërisë, përfshirë ekspozimin ndaj traumave ose disiplinës së ashpër.
Sipas studiuesve, modelet negative të prindërimit mund të shndërrohen në një cikël të vazhdueshëm, veçanërisht te prindërit që vetë kanë përjetuar ndëshkime të rënda gjatë fëmijërisë.
“Rezultatet tona tregojnë nevojën për të edukuar si prindërit ashtu edhe profesionistët jo vetëm për efektet e stileve të ndryshme të prindërimit tek fëmijët, por edhe për mënyrën se si simptomat e ADHD-së mund të ndikojnë në reagimet e prindërve”, thuhet në studim.
Hulumtimi thekson gjithashtu rëndësinë e programeve të mbështetjes së bazuar në prova shkencore për prindërit, përfshirë trajnimet për menaxhimin e sjelljes së fëmijëve.



Të tjera
Mësohet vendi se ku do të luhet ndeshja Izrael – Kosovë
Mbyllet pjesa e parë, Spanja triumfon ndaj Arabisë Saudite
6 shenjat që lexohen në fytyrë kur ka mungesë vitaminash