Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se shantazhet dhe kërcënimet ndaj votuesve serbë në Kosovë burojnë nga “direktiva të orkestruara nga Serbia”, të cilat, sipas tij, cenojnë rendin demokratik dhe pluralizmin politik në vend.
Ai ka mirëpritur veprimin e institucioneve të sigurisë për arrestimin e shtatë qytetarëve të nacionalitetit serb në Graçanicë, të cilët dyshohen se përmes presionit, kërcënimeve dhe shantazhit kanë tentuar të ndikojnë në vullnetin e lirë të votuesve.
“Akte të tilla, që targetojnë drejtpërdrejt qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, të cilat cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla ka thënë se zgjedhjet në Kosovë, pavarësisht sfidave dhe bllokadave politike, vazhdojnë të vlerësohen në raportet ndërkombëtare për standard të lartë organizimi, integritet të procesit dhe garantim të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve.
Ai ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo përpjekjeje për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin politik, duke garantuar një proces zgjedhor të lirë dhe të pandikuar nga ndërhyrjet e jashtme.



Të tjera
Konsumi i alkoolit ju ndihmon të mësoni gjuhë të reja
Arsyeja përse nuk duhet t’i thani rrobat brenda
Pesë mënyra efektive për të reduktuar kohën e kaluar para ekranit