Presidenti amerikan Donald Trump tha se forcat amerikane duhet të kryejnë një mision brenda Iranit për të siguruar materialet bërthamore, pas bombardimeve ajrore që kanë varrosur objektet e pasurimit të Teheranit, transmeton Anadolu.
“Tani do të marrim goditje, sepse duhet të bëjmë një udhëtim drejt Iranit për të marrë armën bërthamore”, u tha Trump gazetarëve.
Ai dukej se po u referohej rreth 1.000 paundëve (453,6 kg) uranium të pasuruar, që sipas raportimeve kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja në vendet e goditura gjatë ofensivës SHBA–Izrael vitin e kaluar. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi konfirmoi se materiali është “nën rrënoja”, pa plane të menjëhershme për ta nxjerrë.
Presidenti amerikan pohoi se Washingtoni ka shkatërruar në mënyrë efektive kapacitetet bërthamore të Teheranit. “Ne e shkatërruam potencialin e tyre bërthamor. U asgjësua”, tha ai, duke shtuar se iranianëve do t’u duhen javë për të arritur tek materiali dhe se SHBA-ja “nuk do t’i lejonte të gërmonin”, pasi ushtria mban mbikëqyrje të vazhdueshme.
Trump këmbënguli se Teherani e di se “nuk ka asnjë shans”, pavarësisht deklaratave publike të kundërta. “Ata ma thonë kur flas me ta, pastaj dalin në televizion dhe thonë sa mirë po u shkon”, pretendoi ai.
“Atyre nuk u pëlqen të luajnë lojëra me ne. Aspak”, tha Trump.



Të tjera
Dënohet rëndë sipërmarrësi kosovar: burg dhe gjobë milionëshe për para të dyshimta
Osmani: Nuk kam kërkuar asnjë pozitë nga askush, vendimet në kohën e duhur
Arsenali, pas 20 vjetësh prek finalen e Championsit