Kurti në Vushtrri: Mandati i ardhshëm do të jetë mandati i hekurudhave

Vetëvendosje mban tubim në Suharekë, Kurti premton mbështetje për bujqësinë, nënat dhe fëmijët

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim zgjedhor me qytetarët e Suharekës, ku morën pjesë anëtarë, simpatizantë dhe përfaqësues të partisë.

Gjatë këtij tubimi u shpalos programi qeverisës i LVV-së, me të cilin synon të fitojë besimin e qytetarëve për të vazhduar qeverisjen edhe për një mandat të ardhshëm.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, theksoi se fokusi i programit qeverisës do të jetë zhvillimi ekonomik, përmirësimi i infrastrukturës dhe mbështetja e bujqësisë, si sektorë kyç për rritjen e mirëqenies dhe krijimin e mundësive të reja punësimi për qytetarët e kësaj zone.

“Në sektorin e bujqësisë janë ndërmarrë hapa dhe janë dhënë subvencione, ndërsa mbështetja për ta do të vazhdojë. Do të kemi mbështetje edhe për naftën, duke ua hequr akcizën, si dhe mbështetje sipas rendimentit që ata prodhojnë. Po ashtu, do të ketë edhe sigurime në raste dëmesh, në mënyrë që prodhimet tona të eksportohen sa më shumë, të zvogëlohet importi dhe të përmirësohet bilanci tregtar”, theksoi Kurti.