Edhe pas tetë tentimesh, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur që ta sigurojë shumicën, në mënyrë që e propozuara nga ana e tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu të zgjidhet në këtë pozitë, dhe në këtë mënyrë t’i hapet rrugë formimit të qeverisë së re.
Në përjashtim të herës së fundit, Haxhiu në të shtatë tentimet mori vetëm 57 vota, nga gjithsej 61 që i duhen.
E i ndodhur përballë kësaj situate, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka ftuar në një takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deri më tani, LDK e ka refuzuar menjëherë ftesën e Kurtit, kurse nga PDK ende nuk ka një qëndrim sa i përket ftesës.
Por njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca ka vlerësuar se situata aktuale e ngërçit në Kuvendin e Kosovës është reflektim i një krize më të thellë politike dhe institucionale, e cila po i kushton vendit në aspektin e funksionimit të shtetit dhe të perceptimit ndërkombëtar
“Ngërçi institucional që po ndodh në Kuvendin e Kosovës është pasojë e një përplasjeje të dyfishtë: nga njëra anë, këmbëngulja e Lëvizjes Vetëvendosje për të emëruar znj. Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, dhe nga ana tjetër, një bllokadë sistematike nga opozita që po shfrytëzon çdo mjet për të pamundësuar këtë emërim. Kjo situatë nuk është vetëm një krizë e përkohshme procedurale – është një pasqyrë e thellë e mungesës së pjekurisë politike në menaxhimin e dallimeve në skenën e Kosovës,” tha Voca për “Bota sot”.
Ai theksoi se, ndonëse është e drejtë që posti i kryeparlamentarit t’i takojë partisë fituese, në këtë rast Vetëvendosjes, përgjegjësia për zhbllokimin e situatës i takon pikërisht kësaj force politike.
“Pa dyshim, posti i kryeparlamentarit i takon partisë fituese të zgjedhjeve – në këtë rast Vetëvendosjes – dhe ky është një standard demokratik që duhet respektuar. Opozita është në të drejtën e saj ligjore të mos e mbështesë kandidaturën e propozuar, por kur ky qëndrim merr formën e një bllokade totale dhe të përsëritur, atëherë nuk kemi të bëjmë më me opozitarizëm konstruktiv, por me një strategji që dëmton funksionimin e shtetit”, deklaron Voca
“Për më tepër, kjo bllokadë nuk buron vetëm nga mosmarrëveshjet politike, por është thelluar nga një klimë mosdurimi të ndërsjellë, me fyerje, akuza dhe një gjuhë të ashpër që ka lënë pasoja të thella në raportet ndërmjet palëve. Inatet e grumbulluara dhe mungesa e vetëpërmbajtjes kanë krijuar një hendek të thellë që po pamundëson çdo tentativë për kompromis institucional. Kjo nuk është vetëm një krizë e emrave – është një krizë kulture politike”, shton Voca.
Më tej, Voca thekson se Vetëvendosje duhet të tregojë pjekuri dhe gatishmëri për fleksibilitet, qoftë duke riformuluar propozimin, qoftë përmes ndërtimit të një konsensusi të ri.
“Megjithatë, nëse kërkojmë të identifikojmë se kush mban më shumë përgjegjësi për zhbllokimin e situatës, ajo bie mbi supet e partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur. Vetëvendosje duhet të jetë e para që tregon pjekuri dhe gatishmëri për fleksibilitet, qoftë përmes riformulimit të propozimit të saj, qoftë përmes përpjekjes për ndërtimin e një konsensusi të ri që e nxjerr Kuvendin nga bllokada. Këmbëngulja për znj. Haxhiun – ndonëse e justifikuar përmes meritës, përfaqësimit gjinor dhe besnikërisë politike – po has në një mur të pakapërcyeshëm dhe po e zgjat një krizë që po dëmton Kosovën brenda dhe jashtë”, shpjegon Voca.
Për fund, Voca kritikon gjuhën e ashpër dhe mungesën e vetëpërmbajtjes nga të dyja palët, duke e cilësuar situatën si një krizë të kulturës politike, jo vetëm të procedurave.
“Nuk duhet harruar se bllokada politike ndodh edhe në demokraci të konsoliduara – por ajo që e bën ndryshe rastin e Kosovës është fakti që krizat e tilla po përsëriten në mënyrë ciklike, duke krijuar një pamje të dëmshme për vendin në sytë e publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Në vend që të ndërtojmë një kulturë bashkëpunimi institucional, po i forcojmë modelet e konfrontimit dhe përçarjes, duke e lënë vendin të ekspozuar dhe të dobët. Në këtë situatë, është koha për reflektim nga të gjitha palët. Opozita duhet të ndalë lojën destruktive që po dëmton sistemin parlamentar, ndërsa Vetëvendosje duhet të gjejë forcën për të treguar se është në lartësinë e përgjegjësisë qeverisëse. Sepse, në fund të ditës, nuk mjafton të kesh të drejtë – duhet të kesh edhe mençuri politike për të gjetur rrugën që ecën përpara”, përfundon njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca, duke u bërë thirrje të gjitha palëve për reflektim dhe përgjegjësi.
Të tjera
Barcelona, kampione e re e La Ligas, dominim i katalunasve në Spanjë
Abdixhiki do duhej ta pranonte ofertën e LVV-së për koalicion
S’ta kom idenë kush janë”, Peci flet për kontratën e dyshimtë të fabrikës për mbetjet shtazore