Gratë e martuara në Zvicër vazhdojnë të përballen me një hendek të madh në paga krahasuar me burrat e martuar, veçanërisht nënat. Sipas një raporti të Zyrës Federale të Statistikave, të miratuar të mërkurën nga Këshilli Federal, diferenca mesatare arrin në 16% si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, ndërsa për punonjësit beqarë hendeku është vetëm 1.3%, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Të dhënat tregojnë se diferenca në paga thellohet ndjeshëm tek të martuarit me fëmijë, ku arrin në 21%. Ndërkohë, gratë beqare pa fëmijë fitojnë vetëm 1.9% më pak se burrat beqarë. Raporti thekson gjithashtu se hendeku gjinor në paga rritet me moshën: nga 6.6% për grupmoshën nën 29 vjeç, në 12.6% për moshën 30-49 vjeç dhe deri në 19.7% për ata mbi 50 vjeç.
Diferencat janë të dukshme edhe sipas shkallës së punësimit dhe hierarkisë profesionale. Gratë me kohë të plotë fitojnë mesatarisht 11% më pak se burrat, ndërsa në pozicionet e larta diferenca arrin në gati 15%. Përveç faktorëve strukturorë si arsimi, përvoja dhe pozicioni, raporti vëren se rreth 48% e hendekut në paga mbetet e pashpjegueshme dhe mund të lidhet me diskriminim.
Autorët e raportit rekomandojnë që institucionet të adresojnë pabarazitë në shpërndarjen e punës shtëpiake dhe kujdesit për fëmijët, si dhe të përmirësojnë kushtet e punës e politikat tatimore, transmeton albinfo.ch.



Të tjera
Pas incidentit në Tivat, Demokratët Evropianë akuzojnë Vuçiqin për retorikë nacionaliste dhe presion ndaj Malit të Zi
Fotografi mahnitëse të paprekura nga fotoshopi
Shkencëtarët zbulojnë se si zhvillohet sëmundja Alzheimer në tru