“100 për qind karton i kuq”, ish-futbollisti beson se Lionel Messi duhej të ishte përjashtuar nga loja – Ekonomia Online

“100 për qind karton i kuq”, ish-futbollisti beson se Lionel Messi duhej të ishte përjashtuar nga loja

Ish-sulmuesi i Venezuelës, Alejandro Moreno, ka kritikuar ashpër vendimin e gjyqtarit për të mos e përjashtuar Lionel Messin në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026.

Incidenti i diskutueshëm ndodhi në minutën e 31-të, kur Messi ndërhyri nga prapa ndaj mbrojtësit algjerian Aissa Mandi, duke e goditur në pulpë me taka.

Gjyqtari polak Szymon Marciniak akordoi faull, por nuk ndëshkoi kapitenin argjentinas as me karton të verdhë, ndërsa VAR-i nuk e ftoi për rishikim të aksionit. Vendimi shkaktoi debat të madh mes tifozëve dhe analistëve sportivë.

Moreno ishte i bindur se ndërhyrja meritonte karton të kuq.

“Ky është karton i kuq 100 për qind për Lionel Messin. Duhej të jepej, duhej të jepej”.

“Ka edhe diçka tjetër që ngre dyshime. Kjo përputhet me narrativën se lojtarët e jashtëzakonshëm marrin trajtim të veçantë. Kur Messi ishte pranë het-trikut dhe portieri e priti goditjen, kamerat treguan Gianni Infantinon duke buzëqeshur, sikur po thoshte: ‘Ah, ishte afër, ishte afër’”.

Moreno vazhdoi kritikat ndaj mosndërhyrjes së VAR-it.

“Nëse e sheh incidentin drejtpërdrejt, menjëherë duket si faull. Pastaj e shikon përsëritjen dhe po, është një ndërhyrje që duhet rishikuar. Pse nuk u thirr Szymon Marciniak te monitori? Duhej të ishte karton i kuq për Lionel Messin”.

“Pavarësisht sa shumë e vlerësoj Lionel Messin, ai ishte një kontakt i ashpër dhe i gabuar. Kur zbret mbi pjesën e pasme të pulpës së një lojtari, nga gjuri deri te kyçi i këmbës, duhet të përjashtohesh për këtë”, deklaroi Moreno.

Polemikat nuk e penguan Messin të shkëlqente në vazhdim të takimit. Sulmuesi argjentinas realizoi het-trik, duke i dhuruar Argjentinës fitoren 3-0 dhe duke barazuar rekordin e Miroslav Klose me 16 gola në historinë e Kupave të Botës.