Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar sot Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se nga ardhja në pushtet ka keqqeverisur, e ka bërë vendin të dobët ekonomikisht e ka izoluar ndërkombëtarisht, si dhe e rëndon barra e 273 milionë tenderëve sekret.
Abdixhiku në një tubim në Krushevë të Madhe të Klinës ka thënë se me Qeverinë Kurti nuk ka njohje, as investime kapitale, dhe se në zgjedhjet e 9-shkurtit do të vendoset nëse do të “dorëzohet Kosova tej e majta” apo do ketë “kthim në rrugëtimin tradicional”.
“Ne duhet të vendosim, a po i kthehemi rrugëtimit tonë tradicional apo po e dorëzojmë Kosovën tek e majta e tek ata që edhe na prishin me aleatë, as nuk bëjnë zhvillimin ekonomik, edhe i largojnë njerëzit prej Kosovës edhe mbesin gjithë ditën tu u anku se çka ka ndodhur për 20 vitet e kaluara”, ka thënë ai.
“Një Kosovë e dobët ekonomikisht dhe e izoluar ndërkombëtarisht është ajo që e do Serbia. Të dyja këto elemente i ka dhuratë prej kësaj qeverie. Sot Kosova nuk numëron asnjë njohje, është pa investime kapitale, me sanksione ndërkombëtare dhe e izoluar ndërkombëtarisht. Të gjitha këto për katër vite keqqeverisje!”.
“Përgjatë katër viteve të shkuara, Kosova ka ngecur. Qytetarët tanë, familjet kosovare, janë mashtruar e lënë në mëshirë të çmimeve të larta, pagave të ulëta, pasigurisë e vet propagandës. Shpresa e premtuar u është vjedhur. Me 9 shkurt ata flasin sërish. Ndryshimi është i mundshëm; e LDK dhe unë do të bëjmë çmos që atë ta jetësojmë në plotni”, ka shkruar Abdixhiku.
Kurse deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me investimet kapitale, ku ka thënë se nga 859 milionë euro të parapara, deri në shtator janë shpenzuar vetëm 159 milionë euro. Sipas Bajramit, kjo shifër, që thotë se është e dhënë e Ministrisë së Financave, tregon se ka mospunë.
Bajrami ka thënë se mbi Qeverinë Kurti rëndon barra e 273 milionë tenderëve sekret,ku është dëmtuar buxheti duke favorizu kompani në dëm të konkurrencës së lirë në treg.
“Nga 859 milionë të parapara për investime kapitale në buxhetin e vitit 2024, deri me shtator qeveria ka shpenzuar VEÇ 159 milionë euro Kjo shifër tregon se ka mospunë, edhe te këto 159 milionët e shpenzuar një pjesë janë kontrata njëburimore me korrupsion. Derisa qytetarët shpenzojnë kohë në kolonat me pluhur, shpenzojnë karburant dhe amortizojnë automjetet e tyre në rrugët për Podujevë, Mitrovicë, Pejë e Gjilan partia në pushtet prej 859 milionë eurove të parapara për investime kapitale në buxhetein e vitit 2024, deri me 1 shtator ka arritur të shpenzoj vetëm 159 milionë euro (ndërsa komunat me krejt pengesat nga Ministria e Financave kanë shpenzuar 120 milionë euro për investime kapitale deri me 1 shtator). Këto të dhëna janë të Ministrisë së Financave”.
“Në anë tjetër mbi këtë qeveri rëndon barra e 273 milionë tenderëve sekret, taksa tonat këto të shpenzuara në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, duke dëmtu buxhetin e duke favorizu kompani në dëm të konkurrencës së lirë në treg. E pamë mospunën tuaj, prandaj s’mund të fshiheni më prapa mashtrimeve e propagandës”, ka thënë Bajrami.
Të tjera
Hoxhaj: Kurti po hap rrugën e agjendës së Beogradit
A ka pjesëtar të FSK-së që punon edhe taksistë, zv/ministri i Mbrojtjes: S’mund t’i përcjellim, ushtarët tanë paguhen mirë
Berisha: Me 7 euro nuk mbahet ushtari i FSK-së