Osmani mesazh për Kombëtaren: Jeni simbol i qëndresës, guximit dhe shpresës

“Osmani e ka humbur rrugën politike” – profesori shpërthen me akuza të forta ndaj saj

Vjosa Osmani ka filluar fushatën e saj duke përdorur emrin e Kurtit për të fituar poena tek qytetarët e vendit.

Ajo së fundmi edhe në “Tubimin e Bashkimit” ka mbajtur një nga fjalimet më të ashpra politike ndaj Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar për centralizim të pushtetit, arrogancë institucionale dhe përçarje politike.

Osmani ka aluduar se Vetëvendosje është larguar nga parimet me të cilat erdhi në pushtet dhe se klima politike në vend është rënduar nga gjuha përçarëse, sulmet ndaj kundërshtarëve dhe presioni ndaj mendimit ndryshe.

Ajo ka shprehur zhgënjim për mënyrën e ushtrimit të pushtetit, duke theksuar se qytetarët kanë pritur një standard tjetër qeverisjeje dhe më shumë përgjegjësi demokratike.

Image

Enver Bytyçi

Profesori thotë se Vjosa Osmani është larguar nga raporti politik me Albin Kurtin me mllef dhe zhgënjim, pasi nuk iu mundësua një mandat i dytë si presidente, dhe se tani po e sulmon publikisht në mënyrë të ashpër.

Sipas tij, edhe kur liderët politikë ndahen apo kanë përplasje mes vete, ata zakonisht ruajnë një lloj ekuilibri dhe nuk i nxjerrin të gjitha konfliktet në publik, ndërsa Osmani po e tejkalon këtë kufi me kritikat e saj ndaj Kurtit.

“Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u largua nga marrëdhënia miqësore dhe institucionale me Albin Kurtin pa përshëndetjen e lamtumirës. Iku nga aty duke turfulluar, sikur për të ishte përmbysur qielli pse asaj nuk iu mundësua edhe një mandat i dytë në postin e kryetares së shtetit. Largimi i saj ishte një ikje në dëshprim dhe krejt pa arsye, sepse nëse një mazhorancë e caktuar ta dha mundësinë të ishe për pesë vite në krye të shtetit, kjo përbën për çdokënd në botë një ndjenjë kënaqësie e lumturie të papërshkruar. Por Vjosa bëri të kundërtën e asaj që do ta bënte edhe vetë Zoti. U zemërua! Dhe tani po hakmerret në mënyrën më të pazakontë.

Unë di plot politikanë dhe liderë, të cilët janë divorcuar në udhëtimin e tyre politik. Por nuk kanë shkuar deri në atë pikë sa të thonë ato që Vjosa thotë kundër Albin Kurtit. Është Arben Ahmeti ai që ka folur për ish-shefin e tij, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Megjithatë nuk ka të krahasuar me këtë që po bën zonja Osmani. Foltoret e saj i ka kthyer në një lloj “gijotine” politike kundër Kurtit. A ka çfarë të thonë këta të dy kundër njëri-tjetrit? Sigurisht, sepse në lidershipin politik bëhen shumë veprime politike, të cilat qëndrojnë larg syrit të publikut. Kështu ndodh me të gjithë liderët në botë. P.sh. Trump dhe Xi Jinping janë kundërshtarë të njohur. Ata qëndruan dhe folën me orë të tëra para tri ditësh në Pekin. Por në përfundim thanë më pak se 1 për qind të asaj që është thënë në katër sy. Këto janë praktika të njohura. Çfarë do të ndodhte sikur palët t’i thonin të gjitha në publik?! Nuk do të kishte më ekuilibër marrëdhëniesh”, u shpreh ai.

Vjosa Osmani po e sulmon Albin Kurtin për takime dhe veprime politike që sipas tij janë normale në procesin e dialogut

Duke vazhduar bisedën profesori thekson se Vjosa Osmani po e sulmon Albin Kurtin për takime dhe veprime politike që sipas tij janë normale në procesin e dialogut, ndërsa më herët nuk kishte reaguar ndaj takimeve të fshehta mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.

Gjithashtu thekson që, pavarësisht kritikave, Kurti ka forcuar sovranitetin e Kosovës në veri dhe ka marrë vendime në interes të shtetit, ndërsa akuzat ndaj tij po i cilëson si fushatë politike e nxitur edhe nga Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani, nga inatet dhe dëshprimi i pamotivuar, i ka prishur të gjitha ekuilibrat. P.sh. sot, kur e ka lënë zyrën e presidentes, kërkon të dijë se çfarë paska diskutuar Albin Kurti në një zyrë në Bruksel vetëm për vetëm me Aleksandër Vuçiqin dhe Miroslav Lajçakun?! Por ama nuk kërkoi asnjëherë të dijë se çfarë kishte biseduar Hashim Thaçi me Aleksandër Vuçiqin në shumë e shumë takime sekrete, jo në prani të përfaqësuesve të Brukselit, por vetëm për vetëm dhe jo në Bruksel, por në Itali, Austri e vende të tjera, takime të cilat i ka denoncuar ish-ambasadorja Lama. Ato takime sekrete të dy liderëve, Thaçi e Vuçiq, duheshin zbardhur. Këtë duhej ta bënte Vjosa Osmani. Por jo. Këtë ngjarje e anashkaloi edhe pse kishte për detyrë, si presidente, ta ndriçonte për të mirën e Kosovës.

Vjosa Osmani nuk ka kauzë më

Në fund, profesori thotë se Vjosa Osmani, me sulmet e saj ndaj Albin Kurtit, ka kaluar edhe kufijtë e kritikave që bëjnë kundërshtarët më të ashpër politikë të Vetëvendosjes dhe se kjo po e dëmton politikisht vetë atë.

Sipas tij, Osmani ka humbur kauzën që e solli në pushtet, sepse tani po afrohet me figurat dhe grupet politike kundër të cilave dikur kishte ndërtuar identitetin e saj politik.

Vjosa Osmani nuk ka kauzë më. Ka humbur edhe kauzat e mëparshme, sepse u bashkua me ata me të cilët ishte shkëputur për arsye të një kauze të caktuar. Ajo u mbështet e mori vota për shkak të kundërshtive ndaj Hashim Thaçit e politikave të tij. Tani është bërë një me Thaçin, aq sa Edi Rama e reklamoi në Prishtinë më 16 shkurt, plot para tre muajsh, si besnike të paraardhësit të saj”, përfundoi profesori Bytyçi